Mosemërimi i anëtarëve në KQZ, AAK-NISMA-PSD nesër i drejtohen Kushtetueses

Pas një viti bllokadë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javën e kaluar ka emëruar tetë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Anëtarët e përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë: Sami Hamiti, Florian Dushi, Adnan Rrustemi, Nazlie Bala, Alfred Kinolli, Ćemailj Kurtiši, Ercan Şpat dhe Stevan Veselinoviq, shkruan Indeksonline.

Thaçi emëroi këta anëtarë pas kërkesës që Ambasada e SHBA-ve në Kosovë i bëri atij, duke i thënë se duhet të funksionalizoj sa më parë KQZ-në.

Mirëpo, problematike mbetet çështja e emërimit të dy anëtarëve të tjerë. Partitë e koalicionit PAN secila këmbëngul për një anëtar, derisa një kërkesë të tillë e ka edhe PSD e cila ishte pjesë e Vetëvendosjes.

Në shenjë pakënaqësie me vonesën e Thaçit për të emëruar dy anëtarët e tjerë, AAK, Nisma e PSD kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë atë në Kushtetuese.

Shefi i GP të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë për Indeksonline se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Ekspertët janë duke e përgatitur ankesën, brenda javës e dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Sherifi.

Se Thaçin do ta dërgojnë në Kushtetuese ka bërë të ditur edhe Dardan Molliqaj i Partisë Socialdemokrate.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se janë duke punuar në rastin e kërkesës që do ta dërgojnë në këtë organ.

“Gjasat janë maksimale që nesër do të dorëzohet në emër të më shumë se 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kjo kërkesë do të dorëzohet në rastin e mosemërimit të anëtarëve të KQZ-së nga presidenti Thaçi. Për ta dërguar dekretin në kushtetuese duhen të paktën 30 deputetë, dhe do të jenë më shumë se kaq që do të nënshkruajnë për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese çështjen e KQZ-së”, ka thënë tutje Molliqaj.