Në Shqipëri moti i keq i ditëve të fundit me reshje shiu dhe bore ka shkaktuar probleme në disa qarqe të vendit, ndërkohë vazhdon angazhimi i autoriteteve, transmeton Anadolu.
Në një njoftim për mediat sot nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në mbështetje të zonave të prekura, veçanërisht në zonat me përmbytje dhe izolime.
“Gjatë 24 orëve të fundit, vendi është përfshirë nga kushte të paqëndrueshme atmosferike dhe rënie të ndjeshme të temperaturave. Si pasojë, në disa qarqe janë evidentuar problematika të lidhura me përmbytje, rritje të niveleve të lumenjve, bllokime rrugore dhe rrëshqitje dherash. Strukturat e Mbrojtjes Civile në nivel qendror dhe vendor janë në terren dhe po punojnë për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e pasojave”, thuhet në njoftim.
Sipas autoriteteve, efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë janë të angazhuar në shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe ujit të pijshëm.
Shqipëria u përfshi në ditët e fundit nga reshje të dendura shiu dhe përmbytje, ku situata më problematike u raportua në qarqet Durrës, Shkodër, Lezhë, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ku u përmbytën banesa, biznese dhe tokë bujqësore, ndërkohë një person humbi jetën.
Në disa qarqe situata vazhdon të ketë problematika nga përmbytjet e fundit, ndërkohë në disa zona sipas autoriteteve situata është në përmirësim gradual.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë sot dhe nesër si pasojë e temperaturave të ulëta në veri, lindje dhe juglindje të territorit të vendit, ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor.
Instituti ka konfirmuar se temperaturat pritet të shkojnë deri në -10 gradë celsius kryesisht në zonat malore.


