MPB pezullon nënshkrimin e kontratave për konkursin e IPK-së, Telegrafi raportoi për shkeljet në këtë konkurs

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ka marrë vendim që të mos nënshkruhen kontratat për kandidatët që janë përzgjedhur në konkursin e shpallur më24 korrik 2017 “Inspektor/Hetues”, me numër të referencës IPK/DO/01, dhe që është publikuar në faqen zyrtare të Inspektoratit Policor të Kosovës.

“Ky vendim është marrë pas ankesave të shumta që kanë bërë kandidatët të cilët kanë marrë pjesë në këtë konkurs. Ministri Sefaj ka kërkuar nga auditorët e brendshëm të MPB-së dhe i Inspektoratit Policor të Kosovës për të vlerësuar të gjithë procesin.

Me qëllim që të sqarohet e gjithë situata dhe ankesat e kandidateve të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe që të mos iu bëhet e padrejtë ndonjërit prej kandidatëve, ministri Sefaj ka pezulluar këtë proces, deri në daljen e rezultateve nga auditorët. Ky vendim është bërë me qëllim që të ketë transparencë të plotë të këtij konkursi”, thuhet në njoftimin për media.

Me këtë rast MPB-ja u ka kërkuar falje dhe mirëkuptimin e kandidatëve që janë përzgjedhur në këtë konkurs.

Me marrjen e këtij vendimi ministri Sefaj ka njoftuar Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin e parë”, thuhet më tej në njoftim.