MPB siguron letërngjitëset, fillon reciprociteti me targa me Serbinë

Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës ka shpallur kompaninë fituese për furnizim emergjent me letërngjitëse për targat e automjeteve. Këtë tender të MPB-së në vlerë prej 294 mijë euro e ka fituar kompania “G.S.G & KIG & KIG KGA ”.

Përndryshe, mungesa e letërngjitësve e ka shtyrë gati për një vit zbatimin e marrëveshjes për reciprocitet me targa me Serbinë. Kjo marrëveshje ishte planifikuar të filloj në nëntor të vitit 2016, por pasi që MPB nuk i kishte siguruar letërngjitëse, zbatimi i marrëveshjes është shtyrë deri më tani, përderisa pala serbe Brenda afatit kohor i kishte siguruar letërngjitëset, raporton “Zëri.info”.

Për vonesat në sigurimin e letërngjitësve, javë më parë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u përplasën ministrja për Dialog, Edita Tahiri dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Sipas kësaj marrëveshje për targat të arritur vitin e kaluar në Bruksel, automjetet e Kosovës mund të hyjnë në territorin e Serbisë me targa RKS, por me letërngjitëse duhet të mbulohet pjesa ku shkruan RKS dhe stema e Republikës së Kosovës.

Njëjtë do të veprohet edhe me automjetet e Republikës së Serbisë që hyjnë në Kosovë. Ndërsa deri më tani automjetet me targa RKS për të hyrë në Serbi është dashur të pajisen me targa “Proba”, të cilat kanë pasur afat vlefshmërie prej 2 muajve.