MPJD: Në Jarinje dhe Merdarë është pamundësuar kalimi i mjeteve që vijnë nga Kosova, të përdoren pika të tjera

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë me një njoftim pas situatës së krijuar ku qytetarëve po u pamundësohet kalimi në Kosovë përmes Serbisë.

Kjo ministri ka njoftuar se ne territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova. Po ashtu i sigurt nuk është as kalimi i veturave

MPJD i ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë rrugë tjera për të mbërritur në Kosovë.

“Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit”, thuhet në njoftim.

Ndërsa MPJD po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që nuk kanë hyrë tashmë në Serbi, të mos udhëtojnë përmes saj.

“Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, njoftohet tutje.

Ndryshe teve1.info raportoi sonte se disa qytetarë serbë kanë bllokuar qarkullimin e makinave në fshatin Rudar të Leskocit, rreth 20 kilometra larg kufirit me Kosovën.

Në një video dërguar teve1.info shihet kolona me automjete të cilat presin, në pamundësi për të vazhduar drejt pikës kufitare në Merdarë.