MSH: Lejohet vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjeç në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Arben Vitia, ka aprovuar rekomandimin e dhënë nga trupa profesionale kompetente-Komiteti për imunizim kundër COVID-19, për plotësimin e Planit Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19.

Sipas këtij plotësimi, do të vaksinohen edhe fëmijët mbi 12-vjeç me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore me vaksinën Pfizer.

“Duke marrë parasysh që vaksina Pfizer BioN/Tech është aprovuar nga FDA dhe EMA për vaksinimin e moshave mbi 12 vjeç, plotësimi i planit përfshin: Vaksinimin e personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer dhe vaksinimin e grup moshës 12-15 vjeç me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, numri i fëmijëve të infektuar me COVID-19 gjatë ditëve të fundit është rritur dukshëm.

Vetëm në raportin e 24 orëve të fundit nga Ministria e Shëndetësisë është bërë e ditur se 14 fëmijë deri në 9 vjeç janë konfirmuar me COVID-19.

Ndërkaq, numër i madh i të infektuarve është edhe nga mosha 10 deri në 19 vjeç.

Shifrat e djeshme ishin shqetësuese po ashtu, ku në mesin e të infektuarve ishin 21 fëmijë të moshës prej 0-9 vjeç.

Kurse, Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se nga 5.646 testime, 740 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

MSH njofton se gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar 2 raste të vdekjes.

Sot janë shëruar 48 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 106.157.

Në total numri i rasteve aktive është 8.544.