Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Muçunski tha se delegacioni qeveritar maqedonas në Forumin Ekonomik Botëror në Davos ishte i fokusuar në komunikim aktiv me kompanitë që do të ndihmonin në zhvillimin e ekonomisë vendase, transmeton Anadolu.
Muçunski, në një paraqitje për një media lokale tha se forumi është konceptuar si një platformë kyçe për diskutime mbi tregtinë, ekonomi dhe energji si dhe për ndjekjen e trendeve më të fundit globale, por edhe për krijimin e kontakteve të drejtpërdrejta midis qeverive dhe komunitetit të biznesit.
“Qëllimi ynë si delegacion qeveritar në këtë aktivitet ishte të ndiqnim trendet më të fundit dhe të komunikonim në mënyrë aktive me kompanitë që mund të na ndihmojnë të zhvillojmë ekonominë vendase”, tha ai.
Ai theksoi se delegacioni qeveritar maqedonas në Davos pati disa takime të rëndësishme me përfaqësues të kompanive prestigjioze, të cilat shpreson se do të sjellin rezultate konkrete për qytetarët tanë.
“Ajo që publiku e pa si imazh nga Davosi ishte më shumë një mesazh politik. Për shembull, fjalimet e presidentit Trump, presidentit Macron, fjalimi i kryeministrit kanadez ishin gjithashtu mjaft të njohura, por kjo për shkak të momentit dhe ngjarjeve rreth Grenlandës. Eventi në Davos quhet Forumi Ekonomik Botëror”, tha ministri Mucunski.
Lidhur me çështjen e mosmarrjes së ftesës nga vendi ynë për në Bordin e Paqes, Mucunski theksoi se ata ende po analizojnë nëse do të ishim të interesuar të anëtarësoheshim në një organizatë të tillë.
“Nuk mendoj se duhet ta trajtojmë politikën e jashtme përmes prizmit të simbolizmit, por më tepër përmes prizmit të rezultateve që arrihen. Kjo ka të bëjë me Bordin e Paqes në Gaza. Ne kemi komunikuar edhe me administratën e Uashingtonit për këtë çështje. Por, ne duhet ta shohim pozicionimin tonë për të gjitha këto çështje përmes prizmit jo vetëm të të drejtave tona, domethënë imazhit të të qenit këtu, por edhe detyrimeve të mundshme që do të priten nga vendet anëtare të këtij Bordi”, tha Mucunski.
“Po komunikojmë me Uashingtonin për këtë çështje. Çështja e Gazës nuk është ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme maqedonase në aspektin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara. Ne e kemi provuar në praktikë se çfarë do të thotë të jesh në marrëdhënie strategjike me këtë administratë”, deklaroi ministri i Jashtëm.
Kur u pyet nëse qeveria ka zhvilluar një qasje nëse do të pranonte nëse Maqedonia e Veriut merrte ftesë për Bordin e Paqes, Mucunski u përgjigj se nuk duhet të nxitohemi në këtë çështje. Ai theksoi se është një gjë të marrësh të drejta dhe një tjetër të përcaktosh se cilat detyrime do të ndërmerren.
“Forumi Ekonomik Botëror në Davos ka një qëllim dhe karakter të qartë. Angazhimi ynë atje ishte tërësisht në funksion të interesave ekonomike të vendit dhe hapjes së mundësive të reja për biznes dhe investime”, theksoi Mucunski.


