Në konferencën për shtyp te Kosova krahas selektorit Franco Foda, është paraqitur edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili do ta bartë shiritin e kapitenit.
“Gjithmonë them se nuk më intereson të shënoj shumë gola, përderisa fiton ekipi. Nuk më intereson aspak, shpresoj qe edhe nesër te mos shënoj, por vetëm të fitojmë … Jo vetëm për mua, por për të gjithë shtetin, pas Pavarësisë mund të jetë lumturia më e madhe e shtetit tonë. Nesër besoj fuqishëm në fitore dhe shpresojmë ta arrijmë suksesin”, ka thënë Muriqi.
Sulmuesi i Mallorcas, flet edhe për emocionet që ka për duelin me Turqinë, shtet ku është formuar si futbollist.
“Emocionalisht po ndihem ndryshe, jam formuar si futbollist atje, kam shumë respekt për përfaqësuesen e Turqisë, por nesër është ndryshe sepse luaj për kombëtare, vazhdoj të respektoj kundërshtarët por do të bëj çmos që të kualifikohemi si shtet edhe në Kupën e Botës”, ka shtruar Muriqi.
Sipas tij, atmosfera te Kosova është e shkëlqyer,dhe shpresojnë shumë në sukses
“Kemi përvojë në ndeshje si kjo. Jam krenar që jam kapiten i këtij ekipi në finalen historike për Kombëtaren. Kemi atmosferë jashtëzakonisht të mirë, të shkëlqyer. Nesër shpresojmë shumë në sukses”.








