Myanmari do të zhvillojë të dielën fazën e parë të zgjedhjeve të përgjithshme, të parat që nga grushti i shtetit ushtarak i vitit 2021. Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se votimi nuk do të rikthejë demokracinë dhe as nuk do t’i japë fund luftës civile, por pritet të forcojë sundimin e ushtrisë.
Autoritetet ushtarake i paraqesin zgjedhjet si një kthim në demokracinë shumëpartiake, por organizatat e të drejtave të njeriut dhe grupet opozitare thonë se procesi nuk do të jetë i lirë dhe i ndershëm. Sipas tyre, pushteti do të mbetet në duart e gjeneralit Min Aung Hlaing.
Votimi do të zhvillohet në tri faza: faza e dytë më 11 janar dhe e treta më 25 janar. Për shkak të konfliktit të vazhdueshëm, zgjedhjet nuk do të mbahen në 65 nga 330 njësitë administrative të vendit.
Partia e ish-lideres Aung San Suu Kyi nuk merr pjesë në zgjedhje. Ajo po vuan një dënim prej 27 vitesh burg, ndërsa partia e saj u shpërbë pasi refuzoi të regjistrohej sipas rregullave të reja të vendosura nga ushtria. Shumë parti të tjera dhe grupe opozitare kanë bërë thirrje për bojkot.
Sipas vëzhguesve, zgjedhjet janë të dizajnuara për t’i dhënë legjitimitet një qeverie civile formale, ndërsa kontrolli real do të mbetet te ushtria. Ndërkohë, situata humanitare vazhdon të përkeqësohet: mbi 22 mijë persona janë të burgosur për arsye politike, më shumë se 7.600 civilë janë vrarë dhe rreth 3.6 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Kritikët theksojnë se këto zgjedhje rrezikojnë të thellojnë konfliktin dhe represionin, në vend që të sjellin paqe dhe stabilitet në Myanmar.
Komuniteti Rohingya vazhdon të jetë i përjashtuar dhe i shtypur
Komuniteti Rohingya, një pakicë myslimane që jeton kryesisht në shtetin Rakhine, mbetet ndër grupet më të persekutuara në Myanmar. Ushtria dhe autoritetet e vendit nuk i njohin Rohingyat si qytetarë, duke ua mohuar shtetësinë, të drejtën e votës dhe qasjen në shërbime bazë si arsimi dhe shëndetësia.
Që nga operacionet ushtarake të vitit 2017, të cilat OKB-ja i ka përshkruar si spastrim etnik dhe gjenocid të mundshëm, mbi 700 mijë Rohingya janë detyruar të largohen drejt Bangladeshit, ku jetojnë ende në kampe refugjatësh në kushte të rënda humanitare.
As në këto zgjedhje, Rohingyat nuk janë përfshirë në procesin politik, duke forcuar kritikat se votimi po përdoret për të legjitimuar sundimin ushtarak, ndërsa shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut vazhdojnë pa përgjegjësi. /mesazhi








