Myftiu Tërnava uron myslimanët për muajin e Ramazanit, fton qytetarët t’i respektojnë masat antiCOVID-19

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ka uruar qytetarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, ndërsa ka ftuar të gjithë që të respektojnë masat antiCOVID-19.

Tërnava në një konferencë për media tha se tha se ky muaj është i veçantë për myslimanët, muaj i paqes dhe mirësisë.

“Ramazani është muaj i cili përveç të tjerash dallohet edhe me ibadetin e agjërimit, e i cili kryhet vetëm për hir të Krijuesit të gjithësisë, Allahut xh.sh., dhe vetëm Ai për këtë do ta shpërblejë besimtarin me shpërblime të veçanta. Përmes agjërimit të muajit të madhëruar Ramazan, besimtarët myslimanë në mënyrën më të përsosur manifestojnë ndjesinë e besimit në Zotin, përgjegjësinë për t’i ndjekur e zbatuar urdhrat e mësimet e Tij, si dhe gatishmërinë për të sakrifikuar, me përkushtimin e vetëm për Krijuesin e gjithësisë”, tha Tërnava, raporton Telegrafi.

Ai tha se dimension shumë i rëndësishëm i muajit Ramazan është edhe aspekti shoqëror e social.

“Ky muaj përmes ibadetit të agjërimit, te shoqëria rrit ndjesinë e ndjeshmërinë për tjetrin, ofron familjet, farefisin e besimtarët ndërmjet vete, shton përgjegjësinë ndaj shoqërisë dhe në të njëjtën kohë e bën besimtarin më të vetëpërmbajtur, më të përgjegjshëm, më të afërt e më solidar me të gjitha kategoritë e shoqërisë”.

Duke folur për muajin e Ramazanit në kohë pandemia, Tërnava ftoi qytetarët t’i respektojnë masat antiCOVID-19.

“Është obligim ynë ta ruajmë veten, familjen e shoqërinë nga infektimi. Ju ftoj t’i respektoni masat antiCOVID-19 me shpresë në të madhin Zot që shumë shpejt ta kemi vaksinimin e popullatës dhe ta kalojmë këtë sfidë të kohës…”, tha Tërnava.

Ai po ashtu ftoi qytetarët që gjatë muajit Ramazan ta bëjnë më të mirën e mundshme, me lutje, sadaka e solidaritet.

Ndryshe, muaji i Ramazanit fillon të martën më 13 prill dhe përfundon më 12 maj. Më 13 maj është dita e Fitër Bajramit.