Nafta arrin nivelin më të lartë nga 2014, nga përshkallëzimi i krizës Rusi-Ukrainë

Nafta arriti në bursat ndërkombëtare nivelin më të lartë që nga viti 2014 të martën.

Rritja erdhi pasi tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës u përshkallëzuan, teksa Moska dërgoi trupa në dy rajone të shkëputura në Ukrainën lindore. Kjo situatë shtoi shqetësimet e furnizimit, duke i shtyrë çmimet në afërsisht 100 dollarë për fuçi.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë janë gati të shpallin sanksione të reja kundër Rusisë pasi presidenti Vladimir Putin njohu zyrtarisht dy rajonet në Ukrainën lindore, duke përshkallëzuar një krizë sigurie në kontinent.

“Ka një probabilitet të lartë për një rritje mbi 100 dollarë për fuçi,” tha Tamas Varga nga ndërmjetësi i naftës PVM. “Ata që kanë vënë bast për një lëvizje të tillë kanë parashikuar përshkallëzimin e konfliktit”.

Nafta e papërpunuar Brent, që është një normë reference globale, u rrit me 3,38 dollarë, ose 3,5%, në 98,77 dollarë në orën 1000 GMT, pasi kishte arritur më parë në 99,50 dollarë, më e larta që nga shtatori 2014.

“Ka nervozizëm në tregun e naftës, frikë dhe emocione gjeopolitike,” tha analisti i Julius Baer, Norbert Rücker.

“Duke pasur parasysh situatën mbizotëruese, çmimet e naftës me shumë gjasa mund të rriten në treshifrorë në afatin e afërt”.

Kriza mbi Ukrainën është një element shtesë që ka ndikuar në shtrenjtimin e naftës, që dhe më parë po reflektonte ofertën e kufizuar në një kohë që kërkesa rimëkëmbet pas pandemisë së koronavirusit.

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët, të njohur si OPEC+, i kanë rezistuar thirrjeve për të rritur më shpejt furnizimin.

Një ministër i lartë britanik tha të martën se pushtimi rus i Ukrainës ka krijuar një situatë po aq të rëndë sa kriza e raketave Kubane e vitit 1962, kur një konfrontim midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik e solli botën në prag të luftës bërthamore.