Një këshillë e artë nga një dijetar i urtë për rëndësinë e namazit.
Të gjith e dijmë se shtyllat e Islamit janë pesë: dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është rob dhe i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit.
Megjithatë, tre prej këtyre shtyllave mund të bien nga përgjegjësia e besimtarit në rrethana të caktuara. Nëse një person nuk ka pasuri, nuk obligohet të japë zekat. Nëse është i varfër dhe nuk ka mundësi, nuk obligohet të kryejë haxhin. Po ashtu, nëse është i sëmurë rëndë ose udhëtar, mund të lirohet nga agjërimi i Ramazanit.
Por kur është fjala për namazin, nuk gjendet pothuajse asnjë arsye për ta lënë atë. Edhe nëse nuk ka ujë, lejohet të merret tejemum; edhe nëse nuk dihet drejtimi i kiblës, falet sipas mundësisë; edhe nëse njeriu është i sëmurë, falet ulur apo edhe shtrirë. Pra, në çdo gjendje, namazi mbetet i pranishëm në jetën e besimtarit.
Kjo tregon se namazi është parimi dhe lidhja më e rëndësishme mes robit dhe Krijuesit, një shtyllë që nuk duhet neglizhuar kurrë.
Kur u obligua namazi, sahabët e Pejgamberit ﷺ u gëzuan dhe thanë: Nevojat tona u zgjidhën!
Sepse pesë herë në ditë do të dalim para Krijuesit tonë, në kohë të caktuara prej Tij, për ta takuar dhe për t’ia paraqitur Atij të gjitha kërkesat dhe nevojat tona.
Prandaj, namazi nuk është vetëm detyrim; ai është takimi i përditshëm i robit me Zotin e tij, burim qetësie, shprese dhe force për zemrën e besimtarit.
Hoxhë Rufat Sherifi








