Udhëheqësit palestinezë kanë dënuar ashpër vendimet e reja të miratuara nga kabineti izraelit i luftës lidhur me Bregun Perëndimor të pushtuar, duke i cilësuar ato si të rrezikshme, të papranueshme dhe me “natyrë kriminale”.
Në deklarata të ndara të dielën, Presidenca Palestineze, Ministria e Jashtme dhe lëvizja Fatah thanë se masat synojnë thellimin e aneksimit de facto dhe cenimin e të drejtave kombëtare, historike dhe të pranisë palestineze në Bregun Perëndimor.
Presidenca Palestineze tha se këto vendime janë vazhdim i një lufte gjithëpërfshirëse kundër popullit palestinez, veçanërisht në Bregun Perëndimor të pushtuar, dhe përbëjnë zbatim praktik të planeve të aneksimit dhe zhvendosjes. Sipas saj, këto hapa paraqesin kërcënim serioz për stabilitetin.
Më herët gjatë së dielës, kabineti izraelit i luftës miratoi masa që ndryshojnë kornizën ligjore dhe civile në Bregun Perëndimor, me qëllim forcimin e kontrollit izraelit.
Sipas mediave izraelite, vendimet zgjerojnë kompetencat e zbatimit të ligjit izraelit edhe në zonat e klasifikuara si A dhe B, duke u mbështetur në shkelje të pretenduara për ndërtime pa leje, çështje uji dhe dëmtime të vendeve arkeologjike dhe mjedisore.
Këto masa do të mundësonin prishjen e objekteve dhe sekuestrimin e pronave palestineze edhe në zona që administrohen në aspektin civil dhe të sigurisë nga Autoriteti Palestinez.
Sipas Marrëveshjes së Oslos II të vitit 1993, Zona A është nën kontroll të plotë civil dhe të sigurisë palestineze, Zona B nën kontroll civil palestinez dhe kontroll sigurie izraelit, ndërsa Zona C mbetet nën kontroll të plotë izraelit.
Presidenca Palestineze hodhi poshtë kategorikisht çdo cenim të vendeve të shenjta islame dhe të krishtera, duke paralajmëruar se çdo ndryshim që prek Xhaminë Ibrahimi në Hebron është i papranueshëm. /mesazhi






