Nautilus, superjahti që mund të qëndrojë nën ujë për katër ditë

Prodhuesi holandez i jahtit U-Boat Worx, ka prezantuar dizajnin e superjahtit që kushton 25 milionë dollarë.

Jahti i quajtur Nautilus mund të lundrojë mbi dhe nën sipërfaqen e ujit, dhe të qëndrojë nën ujë për katër ditë.

Para më shumë se 150 viteve, romani i Jules Verne “20 mijë milje nën det”, solli rrëfimin që përfshinë nëndetësen Nautilus, e për konceptin e jahtit që mund të qëndrojë nën ujë po mendohet prej vitesh.

Megjithatë, prototipi funksional mbetet akoma një ëndërr. Por, falë përpjekjeve dhe ekspertizës së kompanisë U-Boat Worx, kushdo që është i gatshëm t’i paguaj 25 milionë dollarë, do ta ketë superjahtin Nautilus që është 37.5 metra dhe mund të lundrojë nën ujë.

Pjesa e sipërme ofron luks të pafund përfshirë pishinën, barin, kuzhinën dhe shumëçka, e të gjitha këto elemente mund të palosen pa problem kur Nautilus futen nën ujë.

Në dispozicion është edhe varka elektrike që i reziston shtypjes së ujit dhe që mbetet pjesërisht jashtë jahtit – duke ofruar mundësi që t’i transportojë zhytësit në lokacione të ndryshme.

Në brendësi të jahtit është kuzhina, dhoma e qëndrimit ditor për katër persona, ka dritare të rrumbullakëta, pesë dhoma gjumi ku një prej tyre është më e madhe nga tjerat.

Gjithashtu në kabinë ka hapësirë të mjaftueshme edhe për gjashtë anëtarë të ekuipazhit. E motori që e vë në lëvizje funksionon me naftë, por ka edhe një tjetër elektrik që i ndihmon të lëvizë me shpejtësi prej 16 kilometra në orë.

Jahti mund të qëndrojë nën ujë për katër ditë në një thellësi prej rreth 200 metra. U-Boat Worx i plotëson kërkesat e çdo blerësi, kur është fjala për dizajnin. E ata që vendosin ta kenë një të tillë, duhet të presin deri në 30 muaj.