Ballina Autorë Opinione Ndaj shqiptarëve kryhet një luftë e pa shpallur

Ndaj shqiptarëve kryhet një luftë e pa shpallur

Korab Blakaj

Shkruan: Korab Blakaj

Ky është fakt! Meqë kjo luftë kryhet, lindin pyetjet; kush e kryen, si e kryen ?

Sipas interpretimit të konceptit të „luftës së gjeneratës së gjashtë“ fitorja arrihet kur merret nën kontroll një territor pa zhvilluar luftë klasike, përmes vendosjes në pushtet të elitave politike që, me vetëdije ose jo, i shërbejnë interesave të kundërshtarit. Mjafton që vendimet strategjike të merren nga njerëz që nuk mbrojnë interesin kombëtar.

Në këtë këndvështrim kritik, tragjedia shqiptare qëndron te mediokriteti i klasës politike. Nga Prishtina në Tiranë dhe deri në Shkup, elitat politike janë përfshirë në rivalitete të brendshme, interesa të ngushta dhe përçarje, ndërsa çështjet strategjike kombëtare mbeten në plan të dytë, ose thënë me saktë nuk janë në plan fare. Në këtë interpretim, pa qenë e nevojshme një ushtri pushtuese, vetë elitat shqiptare po kontribuojnë në dobësimin e pozitës së kombit tonë përmes sjelljeve të çoroditura dhe vendimeve të tyre.

Duke punuar sistematikisht keq, ata kanë normalizuar një gjendje të keqe që e përshkruan Alegoria e Shpellës, përmës te cilës Platoni argumenton se njerëzit mund të jetojnë terë jetën duke menduar se „hijet„ janë vetë realiteti!

Këto „hije“ sot projektohen mbi ekranet e telefonave, televizioneve dhe rrjeteve sociale. Lufta zhvillohet për mendjen e shqiptarit, për të krijuar perceptimin e realitetit sipas orientimit dhe për të goditur aftësinë e shoqërisë shqiptare për të dalluar të vërtetën nga manipulimi.

Por përtej „shpellës“ situata është e mjerë! Jetojmë në kushtet që nuk korrespondojnë me sistemin shoqëroro-politik.

Përveç idesë kombëtare, mungon strategjia kombëtare,mungon plani për mbrojtjen e shteteve shqiptare, mungojnë bazat e teorisë bashkohore të luftës, mungojnë kriteret dhe kushtet e shpalljes së luftës, mungojnë objektivat dhe kërkesat e përfshirjës së patriotëve dhe dijetarëve në këtë luftë, mungon qartësia e gjetjes së vendit te vet e secilit shqiptar në këtë luftë komplekse- e cila shfrytëzon gjithçka; dhunë, jo dhunë, gjeopolitikë, politikë, armë dhe ndikim psikologjik, para, poste, tituj, propagandë, dezinformim, diplomaci, shantazh, kompjuterë dhe internet, ideologji, faltore, fe, televizione , media, rrjete sociale e të tjera!

Etnikumi shqiptar është i rrethuar nga të gjitha anët dhe sipas logjikës dhe rregullave të luftës nuk ka shanse të mëdha të rezistencës e aq më pak të fitores.

Por ky etnikum ka edhe një cilësi unikale – fiton në situata të pa shpresa dhe humb kur ka fituar!

Tani, kërtij etnikumi, kësaj shqiptarizme duhet t‘i qartësojmë se ËSHTË NË LUFTË për jetë a vdekje me „rendin e rrejshëm të projektuar nga armiku“ me politikanët e kapur nga oligarkia edhe ndërkombëtare, të cilët janë instrumenti dhe logjistika kryesore e armikut, dhe për aq kohë sa këta maskarenj do t‘i lemë në skenë, shqiptarizma do të dalë e humbur, territoret tjera nuk do të çlirohen e të bashkohen, dhe për më tepër do të shkatërrohen dy shtetet shqiptare të cilat duhen të jenë mekanizmat garantues të vazhdimit të jetës kombëtare!

Larg projektit politik të bashkimit, larg përparësisë historike gjeopolitike, larg doktrinës kombëtare, me këto „kolona pesë“ shqipfolëse në krye – kemi humbur. Kemi humbur pas asaj fitoreje kombëtare të 99-tës! Nga objektivi i krijimit si vatër morale, politike, ekonomike dhe ushtarake Kosova u bë „një territor transit i luftës„.

Në këtë situatë lufte, shqiptarët mund të kundërvihen vetëm me një variant real – me projekt mobilizimi!

Ky projekt ka dy detyra kryesore.

Detyra e parë: DEMASKIMI TOTAL I KLASËS SONË POLITIKE NË TIRANË, PRISHTINË, SHKUP. Largimi i tyre nga pushteti dhe zëvendësimi i tyre me një elitë të urtë kombëtare, të ditur dhe patriotike!

Realizimi i kësaj detyre të lartë kombëtare dërgon tek detyra e dytë: fuqizimi i shpejtë dhe efikas i shteteve shqiptare!

Aty do të mobilizojmë resurset njerëzore dhe bashkë me to do të presim metastazat e kalbjes. Shteti vendos kontroll mbi ekonominë, mbi degët që formojnë buxhetin kombëtar, mbi naftën, energjetikën, ujin, mineralet. Poashtu shteti vendos kontroll mbi mjetet e informimit publik të kapitaleve të huaja dhe orienton ringjalljen e popullit drejt misionit krijues e historik! /epiqendra