Ndalohet për 48 orë prokurori Beqë Shala

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka njoftuar se prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Marrje ryshfeti”.

Përmes një komunikate për medie, PSRK-ja bën të ditur se gjatë bastisjes në zyrën e punës dhe në vendbanimin e të dyshuarit janë sekuestruar prova materiale.

Prokuroria Speciale njofton se brenda afatit ligjor të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuari.

Ndryshe, Shala është arrestuar në vendin e tij të punës mëngjesin e së hënës në një aksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në zyrën e punës dhe në vendbanimin e të dyshuarit. Gjatë bastisjes janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale”, thuhet në njoftim.