Dhuna kundër myslimanëve ka shënuar rritje të ndjeshme për më shumë se një dekadë nën qeverisjen e kryeministrit indian Narendra Modi. Tani, edhe komuniteti i vogël i të krishterëve po përballet gjithnjë e më shumë me sulme dhe frikësime në klimën e ashpërsuar të majoritarizmit hindu.
Në prag të Krishtlindjeve, grupe radikale hindu të lidhura me partinë në pushtet Bharatiya Janata Party (BJP) shpallën një “mbyllje” proteste në qytetin Raipur, në Indinë qendrore, duke akuzuar të krishterët për “konvertime të detyruara” – një pretendim i përsëritur shpesh, por pa prova të qëndrueshme. Po atë ditë, grupe burrash të armatosur me shkopinj druri hynë në një qendër tregtare, shkatërruan dekorimet e Krishtlindjeve dhe ndërprenë festimet. Policia regjistroi një çështje penale kundër 30–40 personave të paidentifikuar, por arrestoi vetëm gjashtë, të cilët u liruan me kusht pas pak ditësh dhe u pritën me ceremoni publike jashtë burgut.
Edhe pse kryeministri Modi vizitoi një kishë katolike në Nju Delhi ditën e Krishtlindjeve, ai nuk e dënoi publikisht dhunën.
Sipas një raporti të ri, gjuha e urrejtjes dhe dhuna fetare në Indi janë në rritje të shpejtë, me të krishterët që po shndërrohen në një shënjestër gjithnjë e më të dukshme, krahas myslimanëve. Hulumtimi i India Hate Lab, një projekt i Qendrës për Studimin e Urrejtjes së Organizuar, tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 1.318 raste të gjuhës së urrejtjes – mesatarisht mbi tre në ditë. Kjo përfaqëson një rritje prej 97 për qind krahasuar me vitin 2023 dhe 13 për qind më shumë se në 2024.
Ndërsa myslimanët mbeten objektivi kryesor, raporti evidenton një rritje të fortë të retorikës antikristiane: rastet e gjuhës së urrejtjes kundër të krishterëve u rritën nga 115 në vitin 2024 në 162 në vitin 2025, ose 41 për qind më shumë. Kjo u reflektua edhe në sulmet gjatë festimeve të Krishtlindjeve në disa shtete indiane, përfshirë Delhin, Madhya Pradeshin, Assamin, Keralën, Uttar Pradeshin, Telanganën dhe Chhattisgarhin.
Në Madhya Pradesh, një drejtues lokal i BJP-së udhëhoqi një turmë që sulmoi një drekë Krishtlindjesh për fëmijë me shikim të dëmtuar. Në Delhi, gra të veshura me kapele të Babagjyshit u frikësuan nga grupe ekstremiste. Në Kerala, disa shkolla raportuan kërcënime për të mos organizuar festime, pas një sulmi ndaj të rinjve që këndonin këngë festive.
Të krishterët përbëjnë vetëm 2.3 për qind të popullsisë së Indisë, ndërsa myslimanët 14.2 për qind; hinduët rreth 80 për qind. Ekspertët thonë se rritja e urrejtjes shënon një përshkallëzim të ri që nga ardhja në pushtet e BJP-së në vitin 2014. Ideologjia e organizatës Rashtriya Swayamsevak Sangh (RSS), mentori ideologjik i BJP-së, promovon idenë e Indisë si “komb hindu”, në kundërshtim me parimin kushtetues të sekularizmit.
Sipas studiuesve, narrativa e “konvertimeve të detyruara” paraqet çdo aktivitet bamirës, arsimor apo shëndetësor të të krishterëve si mjet mashtrimi. Kjo, pavarësisht faktit se komuniteti i krishterë nuk ka kaluar kurrë 3 për qind të popullsisë gjatë dekadave të fundit.
Frika brenda komunitetit të krishterë është rritur. Në Raipur, kryepeshkopi u detyrua t’u kërkojë kishave të sigurojnë mbrojtje policore gjatë Krishtlindjeve. Ndërkohë, raporti vëren se edhe gjuha e urrejtjes kundër myslimanëve është rritur ndjeshëm, me 1.289 nga 1.318 rastet që përmbanin referenca nxitëse kundër tyre.
Shumica dërrmuese e këtyre rasteve janë regjistruar në shtete të qeverisura nga BJP ose aleatët e saj, dhe shumë prej figurave kryesore politike përmenden si nxitës të gjuhës së urrejtjes. Analistët paralajmërojnë se kjo klimë është e rrezikshme dhe se gjuha e urrejtjes, herët a vonë, çon në dhunë. /mesazhi





