Ndihmësja e Gjuriqit s’lejohet të hyjë në Kosovë, ndalohet në Jarinje

I është ndaluar hyrja në territorin e Republikës së Kosovës, Dushica Nikoliq, ndihmëse e drejtorit të të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Sipas pretendimeve të kësaj zyreje, Nikoliq është ndaluar në pikën kufitare të Jarinjës, shkruan lajmi.net.

“Kjo është vetëm vazhdimësi e shkeljes së marrëveshjeve për lëvizjen e lirë nga Kosova”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Gjuriqit.

Kujtojmë, se para pak ditësh njëjtë ishte vepruar edhe me zëvendësin e Gjuriqit, Dushan Kozarev.

Fat më të keq se ky i fundit kishte pasur vetë Gjuriq. Ai vitin e kaluar ishte arrestuar nga Njësia Speciale e Kosovës, në aksionin që kishte shkaktuar edhe daljen e Listës Serbe nga Qeveria Haradinaj.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me dikë nga ministria e Punëve të Jashtme, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë detaje lidhur me rastin.