Ndikimi i Haxhit në pastrimin prej gjynaheve

Pyetje:”A është e vërtetë se nëse dikush është betuar rrejshëm, ka vjedhur një shumë të hollash, ka përgojuar dikë tjetër etj… i fshihen këto gjynahe, nëse kryen obligimin e haxhit?!”

Hamid el-attar, anëtar i unionit botëror të dijetarëve myslimanë

Përgjigje:”Mendoj se ju i referoheni hadithit të Profetit a.s që thotë:”Kush kryen Haxhin, nuk flet fjalë banale dhe nuk vepron punë të turpshme, kthehet që andej si dita që e ka lindur nëna.” (Buhariu dhe Muslimi)

Domethënia e këtij hadithi është që një njeriu të tillë, që kryen Haxhin sipas rregullave islame, i falen të gjithë gjynahet e vogla. Sakaq, betimet rrejshëm etj… nuk i falen. Gjynahet e rënda nuk falen dhe nuk fshihen veçse me pendim të sinqertë, sipas mendimit më të drejtë të dijetarëve. Po kështu dhe zullumet ndaj njerëzve, nuk falen veçse pasi të kesh siguruar faljen e tyre, ta kenë bërë hallall, ose pasi të kesh siguruar faljen dhe kënaqësinë e zotit, kur nuk e ke të mundur që njerëzve tu kthesh detyrimet dhe hakun që u takon. Nëse në këtë rast siguron kënaqësinë dhe faljen e zotit, edhe këta njerëz do të falin Ditën e Kiametit.

Transmeton imam buhari se profeti a.s ka thënë:”Kushdo që i ka bërë vëllait të tij një zullum në pasuri apo dinjitet, le t’i kërkojë falje dhe hallallëk para ditës kur nuk do të ketë vlerë dinari apo dërhemi. Atë ditë, nëse ky ka vepra të mira, do i merren sipas zullumeve që ka bërë. Nëse nuk ka vepra të mira, do i jepen nga gjynahet e njerëzve që u ka bërë padrejtësi.”

Është e rëndësishme të theksojmë se nuk ka vepër të mirë e cila të mund t’i fshijë padrejtësitë dhe zullumet që njeriu u bën të tjerëve në këtë botë, as Haxhi, as istigfari, as namazi, as agjërimi dhe asgjë tjetër. Ibadete të tilla, fshijnë gjynahet e vogla, gjynahet që janë mes robit dhe Zotit si shkujdesja dhe neglizhimi i detyrave si namazi etj… sakaq, zullumet dhe padrejtësitë që mund t’u bëjë njerëzve, nuk falen veçse pasi të kërkojë hallallëkun e tyre dhe ta falin, ose t’ju kthejë të drejtat dhe hakun. Kështu, kushdo që ka përvetësuar dhe uzurpuar pasuritë e dikujt tjetër, nuk i vlen pendimi që ti falet ky gjynah. Ai duhet t’ua kthejë atyre këto pasuri, përkundër nuk i vlejnë veprat e mira dhe pendimi sado qofshin ato.

Kushdo që ka përgojuar dikë tjetër, e ka sharë, është tallur, e ka ofenduar, e ka përqeshur dhe i ka bërë njerëzit të qeshin me të, duhet t’i kërkojë të falur dhe hallallëk para se të pendohet. Nëse personi të cilit i është shkelur dinjiteti dhe nderi, nuk e fal, atëherë ky do përfitojë nga veprat e mira të personit që i ka bërë padrejtësi derisa të vihet drejtësia e plotë. Ibnu tejmije thotë se për të shlyer gjynahun e përgojimit, duhet që përgojuesi të nxjerrë në pah dhe të flasë mirë për të përgojuarin, të përmendë virtytet e tij të mira etj… kjo, të bëhet para njerëzve të tjerë, ashtu siç i ka përmendur anët e tij negative në publik.

Por, penduesi mund të arrijë një shkallë të lartë pendimi, sipas të cilës Zoti ua bën qejfin dhe i gëzon personat që u ka bërë padrejtësi Ditën e Kiametit.

Thotë hafidh Ibnu Haxher, duke interpretuar fjalët:” kthehet që andej si dita që e ka lindur nëna.”

“do të thotë që kthehet pa asnjë gjynah, pasi do i falen gjynahet e vogla, të mëdhatë dhe pasojat.”
Unë dhe shumë të tjerë nuk pajtohemi me mendimin e Ibnu Haxher-it, sipas të cilit kryerja e Haxhit shlyen dhe gjynahet e rënda dhe të mëdha. Mendimi i shumicës së dijetarëve myslimanë, është që haxhi shlyen dhe fshin vetëm gjynahet e vogla, për të cilin dëshmojnë shumë tekste të sheriatit islam.

Zoti e di më mirë