Një fe e vërtetë nuk mund të bie ndesh me natyrën e krijimit, përkundrazi, ajo synon orientimin dhe edukimin e kësaj natyre në përputhje me etikën, logjikën e pastër dhe urtësinë hyjnore. Një fe e vërtetë merr në konsideratë instinktet njerëzore të cilat janë të krijuara nga Allahu, dhe nuk urdhëron shuarjen e tyre, por orientimin e tyre në mënyrën më të dobishme për individin dhe shoqërinë.
Çdo tendencë për të shtypur apo çfrenuar natyrën njerëzore është devijim, i cili sjell pas vetes çrregullim moral dhe shkatërrim shoqëror. Balanca është parimi themelor.
Martesa si institucion i natyrshëm
Instinkti i shumimit dhe nevojat emocionale janë të natyrshme tek njeriu. Kur’ani e prezanton martesën si qetësi shpirtërore dhe rrugën e pastër për plotësimin e instinktit seksual:
“Dhe ndër shenjat e Tij është që prej vetes suaj u krijoi bashkëshorte që të gjeni qetësi tek ato; dhe vendosi ndër ju dashuri dhe mëshirë.” (Er-Rrum, 30:21)
Muhamedi (a.s.) e përforcoi këtë parim duke thënë: “O të rinj! Kush ka mundësi le të martohet, sepse martesa i ul shikimet dhe ruan nderin…”
(Buhariu, Sahih, Libri i martesës, nr. 5066)
Ndalesa e celibatizmit ekstrem
Një fe e vërtetë e ndalon celibatizmin (beqarinë e imponuar) dhe vetëprivimin e panevojshëm. I Dërguari i Allahut tha: “Nuk ka monasticizëm në Islam (la rahbanijjete fi-l’Islam).” (Ahmed ibn Hanbel, Musned, 5/266)
Kjo vjen, sepse shoqëria monastike çon shpesh në tension psikologjik, devijim moral ose hipokrizi praktike, pasi shkel parimin natyror të fitras.
Historikisht, Zoti e ka qortuar shpikjen e murgërisë (rahbanijje) të pashkruar në librat e shenjtë: “Murgërinë e shpikën vetë, Ne nuk ua urdhëruam…” (El-Hadid, 57:27)
Kjo vërteton se devijimi nga natyra hyjnore bie ndesh me urtësinë e shpalljes.
Mosmartesa e klerikëve
Nga perspektiva e natyrës së shëndoshë, ndalimi i martesës për klerikët (në disa religjione) përbën mungesë drejtësie ndaj natyrës njerëzore. Kjo qasje bie ndesh me konceptin e krijimit.
Pra, martesa nuk është thjesht opsion personal, por strukturë themelore shoqërore.
Ibn Kajjim el-Xheuzijje shpjegon: “…Shtypja e nevojave natyrore çon në dëme të rinj dhe më të rënda se ajo që synohet të shmanget. Sheriati është i themeluar mbi drejtësi, urtësi dhe interes.” (I’lam el-Muaki’în, vëll. 3, f. 3–5)
Balanca si parim
Prandaj feja e ka vendosur natyrën në rrjedhën e saj të përputhshme me normat morale dhe kufijtë hyjnorë. Një shoqëri që shtyp instinktet krijon devijim; një shoqëri që i çliron pa rregull krijon anarki morale dhe shkatërrim.
Kjo përforcon faktin se feja nuk synon përplasje me natyrën, por harmonizim të saj.
Hoxhë Vladimir Kera








