Ndotja e ajrit shkaktoi globalisht 1 në 6 vdekje në 1 vit, sipas studimit

Ndotja shkaktoi një në gjashtë vdekje në mbarë botën në vitin 2019, sipas një zbulimi të ri nga studiuesit e revistës mjekësore The Lancet.

Kjo shifër ishte më e lartë se shifrat vjetore globale të sëmundjeve të HIV-it, tuberkulozit, drogës ose alkolit, raporton CNN.

Studimi nga Komisioni ‘The Lancet’ për ndotjen dhe shëndetin zbuloi se ndotja e mjedisit vret 9 milionë njerëz çdo vit, gati tre të katërtat e tyre për shkak të ajrit të dëmshëm.

Vdekjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe ndotja kimike toksike u rritën me 66% gjatë dy dekadave të fundit, të nxitura nga urbanizimi i pakontrolluar, rritja e popullsisë dhe varësia nga lëndët djegëse fosile, sipas studimit.

Pas ndotjes së ajrit, ndotja e ujit është kërcënimi i radhës më fatal, duke shkaktuar 1.36 milionë vdekje të parakohshme në vitin 2019.

Për katër vite me radhë, ndikimi vdekjeprurës te njerëzit prej ndotjes nuk është përmirësuar, duke e bërë atë faktorin më të madh të rrezikut mjedisor për sëmundjet dhe vdekjet e parakohshme.

Më shumë se 90% e vdekjeve kanë ndodhur në vende me të ardhura të ulëta si India dhe Nigeria, ku India kryeson listën në të gjithë botën.

India regjistroi numrin më të madh të vdekjeve të lidhura me ndotjen e ajrit në vitin 2019, me 1.6 milionë njerëz të vrarë.

Në vitin 2019, qeveria indiane shpalli një fushatë kombëtare për ajër të pastër, me synimin reduktimin e ndotjes së grimcave deri në 30% deri në vitin 2024.

Vitet e fundit, problemi i ndotjes në Indi është përkeqësuar, pjesërisht për shkak të varësisë së vendit nga karburantet fosile dhe në veçanti, qymyri.

The Lancet kërkoi veprim duke sugjeruar tetë rekomandime, ku përfshihet rritja e financimit të qeverisë për kontrolli i ndotjes, mbledhja më e mirë e të dhënave të ndotjes dhe një organ i pavarur global që mbikëqyr ndotjen, të ngjashme me Panelin Ndërqeveritar të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. /euronews