Ndikimi i fjalës së mirë në shëndetin mendor dhe shpirtëror
Ne jetojmë mes fjalëve. Zgjohemi me to. Rritemi me to. Formohemi prej tyre. Një “ti nuk mjafton”, mund të bëhet zëri i brendshëm i dikujt. Një “unë besoj në ty”, mund të bëhet forca që të ngre nga rrëzimi. Fjala nuk është ajër që kalon, ajo është farë. Dhe çdo farë mbin diku në mendje, në zemër, në karakter.
Këtë e shohim çdo ditë në jetën tonë. Një prind që i thotë fëmijës “ti mundesh”, i ndërton atij vetëbesim për vite të tëra. Një bashkëshort që përdor fjalë të mira në shtëpi, krijon qetësi dhe siguri emocionale. Një fjalë e mirë në vendin e punës, mund ta ndryshojë krejt atmosferën e ditës. Po ashtu, një koment i ashpër apo nënvlerësues, mund të mbetet në mendjen e dikujt shumë më gjatë sesa e imagjinojmë.
Sot shkenca e vërteton atë që zemra e ka ditur gjithmonë: fjala ndryshon trurin, prek trupin dhe formëson identitetin. Islami e thekson këtë me përgjegjësi të plotë. Çdo fjalë ka peshë, çdo fjalë llogaritet dhe çdo fjalë është dëshmi për ose kundër nesh. Islami e trajton fjalën si amanet.
Pejgamberi a.s., ka thënë: “Fjala e mirë është sadaka.” Po ashtu, buzëqeshja jote në fytyrën e vëllait tënd është sadaka.
Kjo na tregon se Allahu nuk e ka kufizuar sadakanë vetëm në pasuri, por e ka bërë edhe buzëqeshjen dhe fjalën e mirë sadaka. Ne shpesh mendojmë se ndryshimi fillon me veprime të mëdha, por në fakt ndryshimet mund të fillojnë edhe me diçka shumë të thjeshtë, me mënyrën si flasim.
Realiteti që po përjeton ymeti mysliman në këto njëqind vitet e fundit është një realitet i hidhur. Për shkak të gjendjes së përgjithshme dhe sëmundjeve sociale të akumuluara, kemi shumë të rinj që ndihen të pashpresë, të dëshpëruar, të stresuar dhe pesimistë. Madje, kemi filluar të humbasim besimin edhe në vetvete.
Për ta përballuar këtë gjendje, Islami nuk ka sjellë vetëm adhurime individuale, por edhe mekanizma të fuqishëm, që forcojnë lidhjet ndërmjet njerëzve. Me qëllim që të forcohen lidhjet ndërmjet myslimanëve, Allahu ka bërë namazin me xhemat pesë herë në ditë, ku myslimanët falen së bashku në xhami. Një herë në javë është obligim që myslimanët e një lagjeje të bashkohen dhe të falin namazin e xhumasë.
Nëse një mysliman hyn në xhami dhe e gjen rreshtin të mbushur, nuk i lejohet të falet i vetëm në rresht, ai duhet të tërheqë dikë që të falen bashkë. Po ashtu, nuk lejohet të falen dy xhemate në të njëjtën kohë, me qëllim që të mos krijohet atmosferë përçarjeje.
Ramazani është një obligim për tridhjetë ditë rresht, ku i gjithë ymeti mysliman agjëron, nis ushqimin bashkë dhe e ndërpret atë sikur të ishte një familje e vetme. Ndërsa haxhi është momenti kur myslimanët takohen dhe bashkohen, të gjitha lëvizjet e tyre bëhen në të njëjtën kohë dhe veshja e tyre është e njëjtë.
Të gjitha këto veprime që Zoti i ka caktuar për robërit e Tij na bëjnë një trup të vetëm, të bashkuar dhe të pandashëm. Ashtu siç ka thënë Pejgamberi a.s.: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe dhembshurinë mes tyre, është si një trup i vetëm, kur një pjesë e tij sëmuret, i gjithë trupi reagon.”
Kjo lidhje nuk ndërtohet vetëm me prezencë fizike, por edhe me mënyrën si mendojmë për njëri-tjetrin. Islami na mëson të kemi mendim të mirë për tjetrin (husn edh dhann). Sa herë që dëgjojmë diçka për dikë, apo shohim një veprim që mund të keqkuptohet, ne kemi zgjedhjen: ta interpretojmë në mënyrë negative apo ta justifikojmë me të mirë. Kjo zgjedhje ndikon drejtpërdrejt në fjalët që përdorim dhe në marrëdhëniet që ndërtojmë.
Edhe studimet psikologjike e mbështesin këtë realitet. Ato tregojnë se njerëzit që jetojnë në komunitete me mbështetje ndaj njëri-tjetrit kanë më pak stres dhe më pak sëmundje. Në të kundërt, rritet rreziku për depresion dhe probleme fizike. Kjo tregon se uniteti dhe kujdesi për njëri-tjetrin nuk është vetëm çështje fetare, por edhe nevojë biologjike dhe psikologjike.
Megjithatë, sot jemi të bombarduar nga kritika të vazhdueshme. Kjo nuk ka lidhje vetëm me të qenit konsumator, por është bërë pjesë e kulturës sonë. Na pëlqen të kritikojmë mësuesin, ligjëruesin, kolegët. Nuk ka rëndësi se kë, por kjo dukuri është bërë trend.
Kjo vihet re sidomos në përditshmëri në rrjete sociale, në biseda mes miqsh, madje edhe brenda familjes. Shpesh reagimi ynë i parë është kritika, e jo mirëkuptimi. Në vend që të pyesim çfarë ka dashur të thotë, ne nxitojmë të gjykojmë. Në vend që të arsyetojmë, ne etiketojmë.
Nëse i shikojmë komentet sot, pjesa më e madhe vetëm kritikojnë dhe e shikojnë tjetrin me syrin kritik. Ky është një reagim i zakonshëm, por nuk duhet të lejohet. Secili ka të drejtë të ketë mendimin e vet, sepse të gjithë kemi përvojat dhe perspektivat tona. Të mendosh ndryshe nuk do të thotë se je më pak i rëndësishëm, apo se je armiku i dikujt dhe nuk ke vlerë. Përkundrazi, respektimi i mendimeve të ndryshme është baza e një shoqërie të shëndetshme. Kur nënvlerësojmë dikë, ne humbasim mundësinë për të bashkëpunuar dhe për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin. Liria e shprehjes është themeli i respektit në marrëdhënie shoqërore, dhe çdo individ duhet të ndihet i lirë të flasë pa frikë nga tallja ose kritika e padrejtë. Duke dëgjuar dhe vlerësuar mendime të ndryshme, ne krijojmë një ambient ku secili ndihet i respektuar dhe ku mund të rriten ide të reja dhe ta përmirësojnë jetën tonë të përbashkët. Çdo njeri dëshiron ndryshim për të mirën dhe përparimin e ymetit mysliman. Por, ndryshimi i vërtetë fillon nga vetja. Kur secili prej nesh përmirëson veten, atëherë forcohet edhe shoqëria.
Në këtë drejtim, edhe shkenca na jep një pasqyrë të qartë
Fjalët negative rrisin:
• kortizolin (hormoni i stresit),
• aktivitetin e amigdalës,
• reagimin “fight or flight”.
Fjalët pozitive, përkundrazi, nxisin:
• dopaminën (motivimin),
• oksitocinën (ndjenjën e lidhjes),
• uljen e stresit.
Kjo do të thotë se fjala ndërton ose shkatërron jo vetëm psikikën, por edhe balancën biokimike të trupit. Pra, para se të ndërtojmë shoqërinë, ne ndërtojmë fjalinë. Dhe para se të shërojmë dikë tjetër, ne duhet ta shërojmë gjuhën tonë.
Psikologjia sociale thotë sot se njerëzit kanë nevojë për lidhje të ngushta me të tjerët për të ndjerë siguri. Takimi me njerëzit dhe ndihma reciproke e ulin stresin dhe depresionin.
Megjithatë, shumë prej nesh mendojnë se një fjalë jona, një ndërhyrje apo një akt, nuk mund ta ndryshojë realitetin, prandaj i bashkohemi karvanit. Edhe pse ndoshta nuk ndryshon gjithçka, prej nesh kërkohet të jemi pozitivë dhe aktivë. Kjo fillon me gjëra shumë të vogla, me një përshëndetje më të ngrohtë, me një mesazh inkurajues, me një falje kur gabojmë, me një koment që ndërton dhe jo që rrëzon. Ndonjëherë, mjafton të ndalemi dhe të mendojmë, nëse unë do të isha në vendin e tij, si do të doja të më flisnin.
Ndryshimi që kërkojmë në shoqëri nuk fillon me zhurmë, por me vetëdije. Nuk fillon me të tjerët, por me ne. Fjala jonë është një nga mjetet më të fuqishme që kemi, ajo mund të shërojë ose të lëndojë, të bashkojë ose të ndajë, të japë shpresë ose ta shuajë atë. Prandaj, para se të kërkojmë një botë më të mirë, le të fillojmë me një gjë të thjeshtë, por të thellë, ta përmirësojmë fjalën tonë dhe mendimin tonë për tjetrin. Sepse një shoqëri e shëndetshme ndërtohet nga njerëz që flasin me mirësi, mendojnë me drejtësi dhe veprojnë me përgjegjësi.
Omeri r.a., ka thënë: “Nëse veprohen punët e liga, por në fshehësi, ato dëmtojnë vepruesin, por nëse veprohen haptazi dhe njerëzit nuk reagojnë që të ndryshojnë, ato dëmtojnë gjithë shoqërinë. Kur individi bëhet më i mirë, ai ndikon pozitivisht te të tjerët, kur përmirësohen individët përmirësohet shoqëria. Dhe vetëm atëherë, ndryshon edhe gjendja e një populli.”
Allahu xh.sh., thotë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata ta ndryshojnë vetveten.” (Er Rad, 11).
Ndryshimi i vërtetë nuk nis nga jashtë, por nga brenda njeriut. Çdo përmirësim personal në mendim, sjellje dhe vepra reflektohet natyrshëm në rrethin shoqëror. Kur individi bëhet më i mirë, ai ndikon pozitivisht te të tjerët, kur përmirësohen individët, përmirësohet shoqëria. Dhe vetëm atëherë, ndryshon edhe gjendja e një populli.
Nëse duam një shoqëri më të mirë, nuk fillojmë me ndryshimin e botës. Fillojmë me ndryshimin e një fjale. Ndoshta nuk mund ta ndryshojmë botën menjëherë, por secili prej nesh mund ta ndryshojë fjalën e tij. Dhe kur ndryshon fjala, ndryshon edhe zemra.
Elfete Sinanaj







