Pesë bomba dore janë gjetur në komunën e Junikut, ndërsa pas raportimit të rastit kanë ndërhyrë ekipet e Policisë së Kosovës dhe njësia për deminim.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar pasditen e së mërkurës nga një qytetar, i cili ka njoftuar autoritetet pasi kishte hasur në mjete të dyshuara shpërthyese.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të shoqëruara nga ekipet e deminimit, të cilat kanë identifikuar dhe asgjësuar pesë bomba dore.
“Një dëshmitar mashkull kosovar ka raportuar se ka hasur disa mjete të dyshuara shpërthyese. Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet policore dhe të deminimit, të cilët kanë bërë asgjësimin e mjeteve (5 bomba dore) pa ndonjë incident”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Nga ndërhyrja nuk është raportuar për persona të lënduar apo dëme materiale.







