Përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë, tani më është bërë dukuri shqetësuese. Madje gjatë vitit që lamë pas, katër të rinj u vetëvranë si pasojë e ndikimit nga drogat.
Drejtori i qendrës “Labyrinth”, që merret me rehabilitimin dhe trajtimin e personave të varur nga droga, Safet Blakaj thotë se ky numër mund të jetë edhe më i madh, pasi që për rastet e trajtuara në qendra tjera nuk kanë informacione.
E përdoruesit më të mëdhenj janë ata nën moshën 18 vjeçare.
Në këtë qendër gjatë vitit 2017 janë regjistruar 72 persona, e ka pasur edhe raste kur prindërit nuk kanë pranuar që fëmijët e tyre të identifikohen.
Në një përgjigje dhënë Tribuna Channel, Policia e Kosovës bën të ditur se vetëm për vitin 2017 kanë qenë 1161 raste të konfiskimit me substanca narkotike.
“Si rezultat i operacioneve policore janë konfiskuar sasi e konsiderueshme e substancave narkotike dhe janë arrestuar persona të dyshuar për trafikim.
Vetëm në vitin 2017 kanë qenë 1161 raste, 51 prej tyre femra dhe 1429 meshkuj.
199 raste trafikim dhe 30 prej tyre kultivim të substancave narkotike”.
Drejtori i qendrës “Labyrinth”, Safet Blakaj tregon se si i trajtojnë rastet e tilla.
Vetëm gjatë vitit 2017 Policia e Kosovës ka konfiskuar 1733 kilogramë marihuanë, ndërsa mbi 706 kilogramë kokainë.
Për rrezikun nga droga ditë më parë foli edhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Ai pas takimit që pati me ministrin e Arsimit, pranoi se vazhdon së ekzistuari dukuria e përdorimit të drogave nëpër shkollat vendore, duke kërkuar nga të gjitha instancat më të larta që një herë e mirë të parandalohet një gjë e tillë.