Në cilën fazë janë hetimet dhe a ka të dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit, tregon Hoti

Lideri i Iniciativës Qytetare serbe, Oliver Ivanoviq u vra mëngjesin e së martës para selisë së tij në veri të Mitrovicës. Deri më tani organet kompetente që janë duke hetuar rastin nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë gjurmë.

Sot është dita e tretë që nuk ka të dyshuar në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit, thotë për lajmi.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës veriore, Besim Hoti.

Ai thotë se janë duke u kryer hetime intensive nga hetuesit policorë, mirëpo deri më tani nuk ka ndonjë informacion që mund të bëhet publik.

“Në këtë faze, nuk ka ndonjë person konkret për të cilin ka ndonjë fletëarrest, mirëpo, pjesa intensive e hetimeve qe zhvillohet nga hetuesit policor sigurisht që mbetet që ata ta bëjnë publike”, ka thënë Hoti.

Tutje, zëdhënësi i Policisë për Mitrovicën veriore thotë se prokuroi hetues do të bëjë të ditur informacionet e tjera në lidhje me rastin, pasi të gjeturat janë shumë të ndjeshme.

“Grupi punues jashtëzakonisht është duke punuar saktë, drejtë në drejtim të këtyre informacioneve, mirëpo pjesën tjetër asnjë prej stafit menaxherial nuk mund të futet në pjesën e hetimeve për t’i publikuat ato sepse janë të ndjeshme dhe i kontrollon prokurori dhe hetuesit policorë”, ka thënë ai.

Hoti,dje (e mërkurë) bëri të ditur për lajmi.net, se policia ka xhirimet e zonës ku u vra Ivanoviqi dhe rrugëve ku dyshohet se ka kaluar vetura nga e cila u qëllua politikani serb, të cilat janë dërguar në laboratorët e IT për hetim të detajuar.

Deri më tani çka dihet për vrasjen e Ivanoviqit është se ai u qëllua me gjatë plumb në pjesë e sipërme të trupit dhe nga plagët e marr nuk ka arritur të mbijetoj. Më pas në raportin e autopsisë thuhet se ai u qëllua nga një veturë në lëvizje, pa targa, pronari i së cilës është identifikifuar mirëpo rezulton si person i vdekur.