Ballina Artikuj Në lidhje me sulmet publike islamofobe ndaj figurës së të ndjerit Hoxhe...

Në lidhje me sulmet publike islamofobe ndaj figurës së të ndjerit Hoxhe Jakup Asipi

Hoxhë Jakup Asipi (r.a)

Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë dënon deklaratat e fundit shpifëse dhe islamofobe të shprehura në emisionin Kosova Today në Klan Kosova, që synojnë diskreditimin e figurave të rëndësishme historike, siç është rasti i imamit dhe patriotit Jakup Asipi. Këto sulme, të cilat përpiqen të vënë në pikëpyetje integritetin moral dhe atdhedashurinë e tij, përfaqësojnë një formë tipike të islamofobisë diskursive. Ky lloj diskursi bazohet në stereotipe negative dhe dezinformim për të demonizuar një individ, duke e lidhur identitetin e tij fetar me mungesën e patriotizmit apo sinqeritetit.

I ndjeri Hoxhë Jakup Asipi ka dëshmuar përkushtimin e tij ndaj kombit përmes veprimit, duke u bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë periudhës kritike të luftës për liri. Të reduktosh kontributin e tij në një narrativë të rreme, është një përpjekje e qartë për të minimizuar rëndësinë e pjesëmarrjes së komunitetit musliman në çështjet kombëtare. Kjo strategji islamofobe shërben për të krijuar një ndasi artificiale midis identitetit kombëtar dhe atij fetar, duke polarizuar shoqërinë dhe duke ushqyer paragjykime.

Ne i bëjmë thirrje medias për një diskurs publik më të ndërgjegjshëm dhe të bazuar në të mirën e përbashkët, duke iu larguar nxitjes së urrejtjes. Sulme të tilla nuk dëmtojnë vetëm trashëgiminë e një figure të respektuar, por synojnë të shkaktojnë dëme në unitetin shoqëror, duke nxitur ndjenjat anti-muslimane dhe duke ndërhyrë në harmoninë ndërfetare.

Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë