Në Muzen e Shkupit kthehet porosia e Titos pas tërmetit katastrofal

Me kthimin e shkronjave nga porosia e Josip Broz Titos, ish-presidentit jugosllav, në anën lindore të Muzeut të Qytetit të Shkupit, sonte kanë filluar ngjarjet kulturore për të shënuar 55 vjetorin nga tërmeti katastrofal i vitit 1963, që shkatërroi qytetin e Shkupit, raporton Anadolu Agency (AA).

Shkronjat e vendosura në fasadën në lindje të Muzeut përbëjnë fjalinë e famshme të Josip Broz Titos, që e tha një ditë pas tërmetit katastrofal në Shkup.

“Shkupi përjetoi një katastrofë të paparë, por Shkupin përsëri do ta ndërtojmë me ndihmën e të gjithë komunitetit. Ajo do të mbetet krenari dhe një simbol i vëllazërisë dhe unitetit, i solidaritetit jugosllav dhe botës”, tha Tito, më 27 korrik të vitit 1963 në Shkup.

Në këtë ngjarje të organizuar nga Qyteti i Shkupit, kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, tha se porosia e Josip Broz Titos duhet të qëndrojë përgjithmonë në murin e Muzeut si shenjë respekti për të gjithë ata shkaku i të cilëve, siç theksoi ai, edhe sot Shkupi me krenari quhet “Qyteti i Solidaritetit”.

“Justifikimi për heqjen e këtyre shkronjave ishin të ashtuquajturat ‘arsye ideologjike’ të atyre që donin të fshin një ndër periudhat më të rëndësishme të historisë së afërt të qytetit tonë. Porosia që dëshmonte gjatë për solidaritetin e Shkupit dhe që iu dha botës, sot përsëri kthehet në muret e veta”, u shpreh Shilegov.

Fjalia e ish-udhëheqësit jugosllav qëndroi në fasadën e objektit të stacionit të vjetër hekurudhor nga viti 1974 deri në vitin 2001, e cila më pas u largua dhe dhjetë vitet e ardhshme lexohej vetëm nga ngjitësit e mbetur në mur, por në vitin 2010, kur objekti u rikonstruktua, fjalia u zhduk plotësisht.

Stacioni hekurudhor u dëmtua gjatë tërmetit dhe më vonë u vendos Muzeu i sotëm i Qytetit të Shkupit. Si monument historik për këtë tërmet u ruajt ora e Stacionit Hekurudhor të vjetër të Shkupit, e cila ndaloi së punuari nga goditja e tërmetit saktësisht në orën 05:17 dhe nga ajo kohë kjo orë ruhet edhe sot.

Kujtojmë se nga tragjedia që shkatërroi Shkupin humbën jetën 1.070 persona dhe u plagosën 3.000 të tjerë. Si pasojë e tërmetit u shkatërruan 15.800 ndërtesa, u dëmtuan 28.000 të tjera, ndërsa pa kulm mbi kokë mbetën 200.000 persona. Ky qytet u godit nga tërmeti me fuqi prej 6.1 ballëve sipas shkallës Rihter me epiqendër në sheshin “Maqedonia”. Tragjedia ndodhi në 26 korrik të vitit 1963.

Nga tragjedia në Shkup u shqetësua dhe u angazhua mbarë bota. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar u bëri thirrje të gjitha organizatave nacionale të organizojnë ushqim për fëmijët e Shkupit. Unioni interparlamentar dërgoi rekomandim tek të gjitha parlamentet dhe qeveritë që të ndihmojnë në riparimin e qytetit. Organizatat humanitare në shumë vende iu qasën grumbullimit të ndihmave për Shkupin. Kështu Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar.

Nën moton “Shkupi flet”, me rastin e 55 vjetorit të shënimit të kësaj fatkeqësie natyrore, këtë javë do të organizohen rreth 20 ngjarje kulturore në disa lokacione të qytetit, ku do të bashkojë artin figurativ, teatral, atë të filmit dhe atë multimedial, përfshirë edhe aktivizimin qytatar lidhur me konceptin e tërmetit, por edhe me historinë kulturore të metropolit.