Jetojmë në një botë që hedh mbi 1.3 miliardë tonë ushqim në mbeturina çdo vit, ndërkohë që mbi 650 milionë njerëz vuajnë nga obeziteti. Kjo është fytyra e civilizimit modern: një paradoks i dhimbshëm mes tepricës dhe urisë, mes grykësisë së disa dhe zhveshjes së të tjerëve.
E gjitha kjo është pasojë e një sistemi që ka prodhuar njeriun konsumator , të pangopur, por të bindur. Një njeri i edukuar për të blerë pa menduar, për të konsumuar pa ndalur, për të hedhur pa ndërgjegje. Një njeri që nuk pyet, por ndjek. Që nuk jeton me dinjitet, por me kartë krediti.
Ndërkohë, në Gaza, jeton një popull që refuzon të bëhet pjesë e kësaj skeme. Ata nuk kërkojnë lukse, por liri. Nuk kërkojnë marka, por drejtësi. Ata nuk pranojnë të jetojnë si skllevër të zbukuruar me fjalët “zhvillim” dhe “normalitet”.
Në Gaza, njerëzit nuk po vdesin nga mungesa, por nga uria e planifikuar , uria e orkestruar nga elitat politike dhe financiare, të cilat e kanë shpallur rezistencën si armikun e vetëm të projektit të tyre.
Për këto elita, çdo akt mosnënshtrimi etiketohet si krim.
Çdo formë vetëdijësimi trajtohet si rrezik.
Çdo frymë rebelimi ndëshkohet barbarisht.
Sepse ky sistem funksionon mbi një logjikë djallëzore:
“Të mbysim nderin dhe të shtrembërojmë të drejtën, për të shpëtuar turpin dhe për të siguruar jetëgjatësi padrejtësisë.”
Hoxhë Rufat Sherifi








