Pakistan, 30 të vdekur dhe 50 të plagosur gjatë sulmit në një xhami

Në një deklaratë për mediat, Mohammad Asim, zëdhënës i spitalit Lady Reading, ku u transferuan viktimat e shpërthimit, konfirmoi se 30 trupa u transportuan në spital

Një sulmues vetëvrasës hodhi veten në erë gjatë namazit të xhumasë në një xhami shiite në veriperëndim të Pakistanit, duke vrarë të paktën 30 persona dhe duke plagosur mbi 50 të tjerë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sulmuesi vetëvrasës u ndalua nga policia në xhami në pazarin Qissakhwani të Peshawarit, por ai u fut me forcë në sallën kryesore të xhamisë, tha mbikëqyrësi i policisë Haroonur Rashid.

Mohammad Asim, zëdhënës i spitalit Lady Reading, ku u transferuan viktimat e shpërthimit, konfirmoi se 30 trupa u transportuan në spital.

Ai shtoi se më shumë se 50 të tjerë po marrin trajtim në spital për shkak të lëndimeve, me mbi 10 në gjendje kritike.

Sipas dëshmitarëve okularë, sulmuesi vetëvrasës ishte i veshur me veshje të zeza lokale dhe kur iu afrua portës së përparme të xhamisë, filloi të qëllonte, duke vrarë një roje sigurie dhe duke plagosur dy të tjerë.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin deri më tani. Megjithatë, në të kaluarën, Tehreek-e-Taliban Pakistan, një konglomerat i grupeve terroriste, ka marrë përgjegjësinë për sulme të tilla. /aa