Në Serbi e quajnë provokim kërkesën e banorëve të Luginës për t’u bashkuar me Kosovën

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës pohojnë se banorët e të Luginës duan të bashkohen me Kosovën, por nuk duan të shkaktojnë ndarje shtesë. E këto deklarata të përfaqësuesve shqiptarë, i kanë quajtur si provokime, mediat në Serbi. Kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë sot se është e rëndësishme që Kosova të mos ndahet në procesin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. “Jemi të vetëdijshëm për gjendjen në Kosovë, për ndasitë politike që ekzistojnë atje. Nëse Kosova vlerëson se korrigjimi i kufirit do të ishte i dëmshëm, atëherë e jona është që të kërkojmë që Kosova në këto bisedime përfundimisht të marrë edhe një përgjegjësi dhe të ngulë këmbë lidhur me reciprocitetin dhe të drejtat për shqiptarët e Luginës së Preshevës të barabarta me të drejtat që serbët i gëzojnë në Kosovë”, ka thënë Kamberi, shkruan Blici serb, transmeton lajmi.net. Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se ata janë të gatshëm të japin kontribut në këtë proces pa ndërhyrë në debat të brendshëm. “ Në Kosovë është hapur debati i cili është pro dhe kundër, megjithatë ne konsiderojmë se nuk duhet të përfshihemi në këtë debat, përderisa jemi duke pritur edhe platformën që do ta prezantojë grupi i dialogut, në kuadër të së cilës ne mendojmë se duhet ta trajtojnë medoemos edhe çështjen e Luginës së Preshevës”, tha ai.