Në Shqipëri 7 të vdekur dhe 168 raste të reja me COVID-19

Shtatë persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri si pasojë e coronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri bëri të ditur se janë regjistruar edhe 168 raste të reja me këtë sëmundje, pas testimit të 2.241 mostrave.

Aktualisht janë 5,159 pacientë aktivë në të gjithë vendin nga të cilët 121 ndodhen në spital. Prej tyre, 19 janë në gjendje më të rënduar.

Në total, që prej nisjes së pandemisë, Shqipëria numëron 3,201 viktima nga COVID-19.

Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që qytetarët të vaksinohen për të qenë të mbrojtur nga virusi.

Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku. Gjithashtu ka nisur vaksinimi me dozën e tretë për të gjithë qytetarët +18 vjeç që kanë kaluar 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë.