Në Stamboll u diskutua neutraliteti ushtarak i Ukrainës, tri shtete garantuese

Rundi i bisedimeve Ukrainë-Rusi, i zhvilluar të martën në Stamboll, me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka përfunduar pak pas orës 13:00.

Negociatorët ukrainas kanë deklaruar se është diskutuar “një sistem i garancisë së sigurisë”, i cili do të përfshinte masat si mosprania e bazave të ushtrive të huaja në Ukrainë, raporton Sky News.

Sipas negociatorëve, shtetet si Turqia, Polonia dhe Kanadaja janë parë si shtete garantuese në këtë proces.

Negociatorët kanë thënë po ashtu se një referendum ka të ngjarë të mbahet për çdo kusht që vë Rusia dhe se Ukraina do të dëshironte marrëveshje të plotë paqeje.

Ukraina do të pranonte statusin neutral nëse propozimet e saj pranohen nga Rusia, kanë shtuar ata.

Ndërkohë, Rusia i përshkroi bisedimet si “konstruktive” dhe se rezultati do t’i raportohej fillimisht presidentit, Vladimir Putin. /koha