Në Telekom do të shuhen 10 pozita të drejtorëve dhe 25 të zëvendësdrejtorëve

Telekomi i Kosovës, për vite me radhë, ka paguar mijëra euro ndaj personave që nuk kanë qenë të nevojshëm për funksionimin e ndërmarrjes. Me strukturën e re organizative, të cilën në parim e ka pranuar Bordi i Drejtorëve i kësaj ndërmarrjeje, parashihet shuarja e 10 pozitave të drejtorëve dhe 25 pozita të zëvendësdrejtorëve. Përveç pozitave të drejtorëve e zëvendësdrejtorëve, ristrukturimi, që do të përfundojë vitin e ardhshëm, parasheh edhe eliminimin e, siç janë quajtur, vendeve të paqarta, të panevojshme ose të shumëfishuara të punës në ndërmarrje
Për vite me radhë Telekomi i Kosovës ka paguar mijëra euro ndaj personave që nuk kanë qenë të nevojshëm për funksionimin e ndërmarrjes. Kjo pritet të marrë fund në qershorin e vitit që vjen, kur pritet të përfundojë i gjithë procesi i ristrukturimit.

Me strukturën e re organizative, të cilën në parim e ka pranuar Bordi i Drejtorëve i kësaj ndërmarrjeje, parashihet shuarja e 10 pozitave të drejtorëve dhe 25 pozita të zëvendësdrejtorëve. Do të mbesin vetëm 4 drejtori nga 14 sa janë e nuk do të ketë asnjë zëvendësdrejtor.

Nëse llogaritjet bëhen me pagat që drejtorët e drejtorive i kanë pasur deri në maj të vitit që shkoi, brenda muajit Telekomi do të kursejë më shumë se 22 mijë euro në muaj, kurse me pagat e ulura do të kursejë afër 16 mijë euro.

Kurse në pozitat e 25 zëvendësdrejtorëve, me pagat e para majit, kursehen afro 50 mijë euro. E nëse llogaritjet bëhen më pagat e ulura kursehen afër 39 mijë euro.

Zyra për media e Telekomit të Kosovës ka bërë të ditur se sipas skemës së deritashme organizative, në nivelin më të lartë menaxherial të ndërmarrjes kanë qenë 14 drejtori/departamente, të cilat i kanë raportuar drejtpërdrejt kryeshefit ekzekutiv. Të gjitha këto njësi thuhet se kanë qenë të udhëhequra nga drejtorët përkatës dhe, në shumicën e tyre, nga dy e më shumë zëvendësdrejtorë. Përveç tyre, theksohet se në Zyrën e kryeshefit ekzekutiv kanë qenë shumë pozita të larta të këshilltarëve, menaxherëve dhe zyrtarëve të lartë. Sipas strukturës se re organizative, Zyra për media ka bërë të ditur se numri i drejtorive/departamenteve të vendosura në rrafshin e parë menaxherial do të reduktohet në 4 drejtori edhe në Zyrën e kryeshefit ekzekutiv, që theksohet se do të jetë dukshëm e optimizuar sa i përket përbërjes, por pa cenim të funksionalitetit.

“Si rezultat, edhe numri i pozitave të larta menaxheriale do të reduktohet dukshëm. Kështu, sipas propozimit të ri, numri i drejtorëve do të reduktohet nga 14 në 4, ndërsa numri i zëvendësdrejtorëve do të reduktohet nga 25 në 0”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Telekomit.

Mes të tjerash, në strukturën e re organizative theksohet se nuk parashihet të jenë fare 3 drejtori, ndërsa, drejtoritë/departamentet e tjera si dhe funksionet e tyre të nevojshme nuk do të shuhen, por do të vendosen në drejtoritë përkatëse, sipas skemës së re organizative.

Ristrukturimi parasheh edhe eliminimin e, siç janë quajtur, vendeve të paqarta, të panevojshme ose të shumëfishuara të punës në ndërmarrje.

“Nga rreth 600 vende të punës, sipas skemës së re organizative, kemi përgjysmë më pak. Po ashtu, nga 113 pozita të larta menaxheriale, sipas skemës së re, kemi përgjysmë më pak”, thuhet në një përgjigje të Zyrës për media të Telkomit të Kosovës.

Ristrukturim do të ketë edhe efekt financiar në uljen e shpenzimeve operative. Por përllogaritjet e sakta për efektin financiar, sipas Zyrës për media, do të bëhen pas vlerësimit dhe gradimit të vendeve të punës si dhe plotësimin e pozitave të vendeve të punës sipas skemës së re organizative.

Të gjitha këto reduktime thuhet se nuk kanë ndikim negativ në funksionimin e njësive përkatëse dhe ndërmarrjes në tërësi.

Në një përgjigje me shkrim, ushtruesja e detyrës së kryeshefes ekzekutive të Telekomit, Burbuqe Hana, ka thënë se me ristrukturim numri i zyrtarëve të lartë synohet të reduktohet vetëm në pozita të duhura meritore.

“Kjo do të bëhet duke ndjekur nevojat reale të biznesit dhe funksionimit efektiv të kompanisë dhe duke hequr shumëfishimet e panevojshme të pozitave të cilat në shumë raste dallonin vetëm në emër, ndërsa përshkrimi i përgjegjësive dhe i detyrave ishte pothuajse i njëjtë… Me gjendjen në të cilën është sjellë, kompania jonë e ka të pamundur të mbajë stafin e domosdoshëm dhe të jetë konkurruese pa këto ndryshime që ristrukturimi do t’i sjellë”, ka deklaruar Hana.

Ajo ka thënë se emërimet në Telekom ishin bërë kryesisht me motive politike.

“Përveç dëmit financiar nga kjo, kompania dëmtohej edhe nga marrëdhëniet e rënduara dhe nga konflikti i kompetencave apo devijimi i proceseve, që vinte si rezultat i një hierarkie të stërmadhe dhe jofunksionale”, është shprehur Hana. Sipas saj, ristrukturimi synon që të ketë vetëm pozita të nevojshme për procesin e punës/menaxhimit.

Sipas saj ristrukturimi synon që të ketë vetëm pozita të nevojshme për procesin e punës/menaxhimit dhe grada/paga motivuese për stafin, i cili duhet të jetë 24/7 në shërbim të konsumatorëve dhe publikut. “Gjithashtu synohet të aprovohen proceset më efektive dhe të ulen shpenzimet operative në nivelin e domosdoshëm, duke rritur investimet në teknologji, apo në fushat të cilat e ngritin dhe promovojnë biznesin e kompanisë”, ka theksuar Hana.

Në Zyrën për media kanë thënë se janë duke shqyrtuar mundësitë dhe opsionet e risistemimit të punëtorëve në vendet e punës nëpër njësitë që kanë mungesa, siç thuhet, qoftë për shkak të vlerësimit jo të duhur të disa vendeve të punës, qoftë për shkak të pensionimit të stafit.

Ata kanë treguar edhe për drejtoritë që parashihet të mbesin.

“Sipas skemës së re organizative, ndërmarrja do të ketë Drejtorinë e Teknikës dhe Teknologjisë Informative, Drejtorinë e Marketingut, Shitjes dhe Kujdesit për konsumatorët, Drejtorinë e Financave dhe Drejtorinë e Çështjeve të Korporatës. Krahas këtyre drejtorive, në Zyrën e kryeshefit ekzekutiv do të përqendrohen njësitë e natyrës strategjike dhe funksionet e parapara me ligj”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për media.

Nga kjo Zyrë kanë thënë se nuk ka shpjegim të bazuar në arsyeshmëri të biznesit për ekzistencën e numrit aq të madh të njësive në rrafshin e parë menaxherial dhe të numrit përkatës të pozitave të larta menaxheriale.

Ndërsa sa i përket dëmit financiar që ka shkarkuar kjo strukturë organizative, ata nuk kanë dhënë një shifër. Vetëm kanë theksuar se “Skema e deritashme organizative nuk ka qenë optimale, si në aspektin funksional të kompanisë, ashtu edhe në atë financiar”.