Në tre mujorin e parë të këtij viti, Kosova më së paku vdekje nga COVID-19 në rajon

Të dhënat për tre muajt e parë të këtij viti mbi infektimet dhe numrin e të vdekurve në shtetet fqinje të rajonit, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi, tregojnë se të gjitha vendet u përballën me nivele të larta infektimesh e vdekjesh.

Megjithatë, duke bërë krahasimet mes tyre bazuar në numrin e banorëve, del se Kosova ka pasur situatë më të mirë, ndonëse brenda tre muajve janë regjistruar 539 persona të vdekur dhe janë infektuar 43,252 qytetarë.

Hulumtimi nxjerr të dhëna të cilat tregojnë se zona në përgjithësi, u përball me raste të shumta të sëmundjeve e edhe të vdekjeve.

Nga 1 janari 2021 deri më 31 mars, del se në Kosovë që ka pak më shumë se 1.8 milion banorë, sipas Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka pasur 43,252 persona të infektuar me COVID19. Raste të vdekjeve janë shënuar 539, ndërsa 39,146 qytetarë janë shëruar.

Testimet, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK), janë kryer nga Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare në IKShP dhe laboratoret publike e private duke përdorur metodën RAT.

Gjatë muajit janar, sipas raporteve ditore që bëhen publike nga IKSHPK del se janë infektuar 8,890 persona, 163 kanë vdekur, ndërsa 11,030 raste janë shëruar nga COVID19.

Në muajin shkurt 9,012 raste kanë rezultuar pozitive, rastet e vdekjes kanë qenë më të pakta se në janar, 103 persona kanë humbur betejën me COVID19, ndërsa 7,412 persona del të jenë shëruar nga virusi.

Raportet për muajin mars tregojnë gjendje edhe më të rënduar se dy muajt paraprak. Ky muaj rezultoi me 15,057 raste pozitive, 273 vdekje, porse edhe numri i të shëruarve ishte më i lartë – 20,908 të tillë.

Numri më i madh i rasteve pozitive gjatë këtyre tre muajve në Kosovë është shënuar më 31 mars, kur kishte 923 raste pozitive. Po në këtë ditë, 14 persona kishin vdekur ndërsa ishin shëruar 771 qytetarë.

Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID 19, nga njohës të fushës, u konsiderua pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave dhe mosrespektimit të tyre.

Qeveria Kurti, e ardhur në pushtet me 22 mars 2021, me nguti vendosi disa masa kufizuese, me shpresën për të ndaluar hovin masiv të infektimeve. Ajo ndaloi qarkullimin e qytetarëve nga ora dhjetë e mbrëmjes deri në pesë të mëngjesit, përveç në rastet emergjente. Ndaloi aktivitetet e gastronomisë, përveç shërbimit “merr me veti”, si dhe ktheu mbarëvajtjen e mësimit në formën online për ciklin parauniversitar nga 12 deri më 18 prill dhe ato universitare nga 6 deri më 18 prill.

Edhe shtetet e rajonit, gjatë kësaj periudhe kohore, patën numra të lartë të të infektuarve me COVID19. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë nga vendet e rajonit, për numër të të infektuarve prinë Serbia. Kjo edhe nga fakti se shtetit fqinj verior i Kosovës, ka edhe numrin më të madh të popullsisë.