Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit në tregjet e energjisë elektrike Shqipëri–Kosovë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë (ERE), dhe operatorët e sistemeve të transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës (OST dhe KOSTT), të mbështetur nga USAID, kanë nënshkruar më 21 tetor 2021 në Tiranë, Marrëveshjen Kornizë të bashkëpunimit të tregjeve të energjisë elektrike.

Kjo Marrëveshje përcakton të drejtat, detyrimet dhe hapat e nevojshëm që palët nënshkruese duhet të ndërmarrin për të bashkëpunuar në lidhje me organizimin e tregjeve të bashkuara të energjisë elektrike të një ditë më herët dhe brenda ditës, për sa i përket roleve dhe përgjegjësive në lidhje me operimet, administrimin dhe vendimmarrjen, përmes organizimit të alokimit të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit në kufijtë e tyre të përbashkët një ditë më herët dhe brenda ditës.

Në njoftim thuhet se bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike do të kontribuojë në zgjerimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe rritjen e konkurrencës në tregjet e energjisë elektrike si dhe në ruajtjen dhe zgjerimin e një tregu me çmime të drejta.

“Ky bashkëpunim do të përforcojë shfrytëzimin më efikas të interkoneksioneve të përbashkëta ndërkufitare përmes metodave objektive, të bazuara në treg jo-diskriminuese dhe transparente.

Po ashtu përmes këtij bashkëpunimi do të ofrohet hyrja korrekte dhe jo-diskriminuese në tregun e ditës në avancë dhe brenda ditës duke nxitur efiçiencë të përfitimeve në të dy tregjet e energjisë elektrike.

Ky bashkëpunim, si i pari në rajon në një treg të përbashkët, do të shërbejë si nxitje për zgjerimin e bashkimit të më shumë tregjeve në rajon e me gjerë”, thuhet në njoftim.