Deputetja Marjana Koçeku, e larguar nga PS, thirrje bashkëfshatarëve të mos pranojnë ligjin plot dritëhije
Pak ditë pasi kryeministri Edi Rama vizitoi Thethin dhe prezantoi nismën e qeverisë të njohur si “Paketa e Maleve”, ka ardhur një reagim i fortë nga ish-deputetja socialiste Marjana Koçeku.
Përmes një mesazhi të gjatë drejtuar banorëve të Shalës, Shoshit dhe Pultit, ajo u bën thirrje të mos bien pre e premtimeve për zhvillim, duke paralajmëruar se pas kësaj pakete fshihet rreziku i humbjes së pronave dhe i tjetërsimit të trojeve të trashëguara ndër breza.
Dhe faktet po tregojnë se politika e “investimeve strategjike” dhe tashmë edhe “Paketa e Maleve”, janë një nga goditjet më të mëdha ndaj pronës private në dekadat e fundit.
Kjo qasje përbën një përsëritje të historive të dhimbshme që lidhen me regjimin e pronësisë pas rënies së komunizmit, veçanërisht me ligjin 7501, i cili ndryshoi mënyrën e ndarjes së tokës bujqësore dhe la pas mijëra konflikte pronësie, procese të gjata gjyqësore, drama familjare dhe përplasje sociale.
Nën këtë klimë, deputetja tashmë e pavarur, argumenton se zhvillimi nuk mund të ndërtohet duke i kthyer banorët në “hyzmeqarë” në pronat e tyre dhe kërkon që fillimisht të sigurohen titujt e pronësisë, infrastruktura dhe e drejta e plotë për të vendosur mbi të ardhmen e trojeve.
Postimi i plotë i Marjana Koçekut:
Të dashtun banorë të Shalës, Shoshit e Pultit,
Përfshimja e zonave tueja në Paketën e Maleve, siç asht ba e ditun këto ditë, nuk asht shpëtimi i atyne trojeve, por fillimi i nji tjetërsimi që pasojat ka me i pasë aq negative sa ju s’keni me mujtë ma me i kontrollue ato toka.
Nëse doni me qenë shërbyes e lypsarë n’tokat tueja, atëherë pranojeni hak Paketën e Maleve, por di me ju thanë se malet tona nuk futen në paketë, dhe se treva jonë ka ditë me e ruejtë identitetin e vet për shekuj me radhë. As nuk asht pushtu e as nuk asht shitë. Dhe ju duhet me e pasë parasysh, secili prej jush, se pushtimet gjithmonë kanë ardhë me maska të reja, që ju të mos i njihni.
Unë e di se, çfarëdo çmimi që ata munden me ju ofru, ju nuk i lëshoni tokat e t’parëve, qoftë edhe veç për faktin pse janë t’parëve… se malsori ka qenë dhe asht zot n’tokë t’vet. Por tash e vetmja mënyrë me jua marrë, asht tu spekulu përmes ligjit me pretekstin se ju do mundeni ma n’fund me i zhvillue ato toka, a ndërkohë nuk keni as tituj pronësie, as rrugë, as energji e as kushtet e nji infrastrukture që jua siguron nji gram jetë të mirë. S’keni ditë kurrë me i kërkue ato kushte!
Kështu që para se me pranue çfarëdolloj premtimi për “zhvillim”, kërkojeni njiherë atë çka ju asht mohue deri tash: pronën tuej, dhe të drejtën me vendosë vetë se çka bahet me pronën tuej. Zhvillimi që ju nxjerr prej tokës e ju kthen në vasalë e shërbëtorë të dikujt tjetër, nuk ka si me u quejtë zhvillim, përndryshe ju do ishit “zhvillue” me kohë. \tesheshi.com\





