Nëse do e mbushësh jetën me vogëlsira, nuk të mbetet kohë për gjërat e mëdha

Tregohet se emiri Ibnu Tulun, deshi një herë ta edukojë djalin e tij, i cili thuhej se ishte një llupës shumë i madh. Ai e dërgoi vezirin e tij në mbrëmje tek i biri dhe i tha:”I thuaj të paraqitet këtu menjëherë! Mos e lejo të bëjë asgjë para se të vijë tek unë!”
Vajti veziri tek djali i emirit dhe i tha:”Të kërkon emiri!”
Djali e pa dhe iu përgjigj:”Më lër sa të ha diçka!”
Veziri i tha:”Duhet të paraqitesh menjëherë tek emiri! Nuk pret puna.”
Djali u ngrit dhe vajti tek i ati, i cili e priste në sallën e pritjes. Ai u ul dhe priti çfarë do i thotë i ati, por ai nuk fliste. Kur kaloi pak kohë dhe stomaku filloi ta gërryejë, i ati urdhëroi shërbëtorët dhe u tha:”Çojeni në dhomën e ngrënies!”
Me të hyrë brenda, ai pa një sofër të shtruar dhe të mbushur me mish të skuqur, sallatëra të ndryshme, supë dhe perime. Menjëherë u ul dhe filloi të hajë si i babëzitur derisa u ngop dhe mezi merrte frymë. Mandej, emiri e mori të birin dhe e çoi tek një sofër tjetër, me ushqime nga më të mirat, ushqime që hanin vetëm mbretërit. Rreth sofrës ishin ulur këshilltarët dhe oborrtarët më të lartë. Të gjithë hëngrën e u ngopën, ndërsa djali vetëm i shikonte dhe nuk e zgjaste dorën.
I ati e pyeti:”Përse nuk ha dhe ti si gjithë të tjerët?”
Djali iu përgjigj:”E ku ta çoj? Unë u ngopa me perime e mish të pjekur. Nuk e dija që ka dhe një sofër tjetër me gatime kaq të shijshme.”
Atëherë, i ati i tha duke buzëqeshur:”Të solla këtu, për të të dhënë një mësim të rëndësishëm në jetë. Nuk ke veçse një bark të vetëm, nëse do e mbushësh me perime dhe ushqime të thjeshta, nuk ke mundësi të shijosh ushqimet e tjera më të shijshme dhe më të dobishme. E njëjta gjë vlen dhe për kohën. Nëse do e mbushësh kohën dhe jetën me vogëlsira, nuk të mbetet kohë për gjërat e mëdha dhe të dobishme.”

Nga: Elmaz Fida