Nesër mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për referendumin e Serbisë

Me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Kuvendi i Kosovës nesër (e shtunë) në orën 14:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme.

Siç njofton Drejtoria për Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit, në seancë do të diskutohet në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Më herët, në përputhje me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 paragrafi 2b të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

“Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës”, bëhet e ditur në njoftimin e bërë nga Zyra e Kryeministrit.

Tutje, në njoftim thuhet se, diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar.

Krerë shtetëror të Republikës së Kosovës, në një takim të përbashkët me Ambasadorët e Quint-it dhe përfaqësuesin e BE-së, paraqitën sot qëndrimin e tyre të koordinuar dhe të përbashkët lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca, si dhe kryeministri Albin Kurti dolën me deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së, duke theksuar edhe një herë kundërshtimin e tyre për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Në deklaratë thuhet se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.

Krerët e shtetit i kanë thënë ambasadorëve se qytetarët serbë të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse.

Sipas tyre, edhe praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021.

Institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë.

Institucionet e Kosovës i kanë bërë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës. Për më tepër, sipas tyre, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse.