Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Netanyahu: Marrëveshja me Libanin është një goditje e madhe për Iranin dhe...

Netanyahu: Marrëveshja me Libanin është një goditje e madhe për Iranin dhe Hezbollahun

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka cilësuar marrëveshjen kornizë të arritur me Libanin si një “arritje historike”, duke thënë se ajo hap rrugën drejt përfundimit të konfliktit dhe arritjes së një marrëveshjeje paqeje mes dy vendeve.

Duke folur pas arritjes së marrëveshjes, Netanyahu tha se negociatat e drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, kanë çuar në një mirëkuptim që i lejon palët të ecin drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Sipas tij, SHBA-ja dhe Libani kanë njohur të drejtën e Izraelit për të mbajtur një zonë sigurie brenda territorit libanez për aq kohë sa kjo konsiderohet e nevojshme për sigurinë izraelite.

Netanyahu theksoi se Izraeli do të vazhdojë të qëndrojë në këtë zonë derisa Hezbollahu dhe grupet e tjera të armatosura të çarmatosen plotësisht dhe të mos përbëjnë më kërcënim.

Ai e cilësoi marrëveshjen si “një goditje të madhe për Iranin dhe Hezbollahun”, duke shtuar se Teherani kishte ushtruar presion për të detyruar Izraelin të tërhiqej nga jugu i Libanit.

Kryeministri izraelit njoftoi gjithashtu se Izraeli, Libani dhe SHBA-ja kanë rënë dakord për krijimin e një programi pilot në dy zona pranë Vijës së Verdhë, ku do të punohet për çarmatimin e Hezbollahut dhe transferimin e kontrollit të territorit tek ushtria libaneze.

Sipas Netanyahut, marrëveshja jo vetëm që dobëson ndikimin ushtarak të Iranit në rajon, por edhe atë diplomatik. /mesazhi