Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dje ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se Izraeli ka pranuar propozimin e paraqitur nga i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Në deklaratë fajësohet Hamasi për refuzimin e marrëveshjes, ndonëse grupi palestinez ka deklaruar se është i gatshëm të punojë me atë propozim, por me disa kushte që mund të çojnë drejt negociatave për përfundimin e luftës.
Kërkesa për fundin e luftës ka qenë një nga kushtet e Hamasit që nga fillimi i bisedimeve, të cilat u ndërprenë në mars kur Izraeli rifilloi bombardimet mbi Rripin e Gazës.
Që në fillim të këtyre diskutimeve, Netanyahu ka bërë të qartë se nuk është i interesuar për një përfundim të luftës. Ai ka vendosur “vija të kuqe”, duke përfshirë çmilitarizimin e plotë të Hamasit dhe lirimin e pengjeve izraelite.
Një tjetër pikë e përfolur është edhe plani i mbështetur nga Trump për largimin e palestinezëve nga Gaza – një ide që është dënuar gjerësisht dhe cilësohet si spastrim etnik.
Megjithatë, Netanyahu po përballet me presion në rritje nga familjet e pengjeve izraelite, të cilat e fajësojnë për mungesën e një marrëveshjeje deri më tani. /mesazhi





