Nexhmedin Spahiu: Synimi i Izraelit ta zbrazë komplet Gazën

Nexhmedin Spahiu

Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka thënë se Izraeli po synon “që ta zbrazë tërësisht Gazën”.

Spahiu në “Konfront” të KTV-së ka thënë se pret që Izraeli të futet edhe me këmbësori në Gaza.

“Vetë fakti se tani është lënë Gaza pa ujë, rrymë e furnizim me ushqime, e tregon këtë. Imagjino Gaza ka madhësinë si me shku prej Prishtinës në Ferizaj, e ka 6 deri 10 kilometra gjerësi. Territor aq i vogël e i ka dy milionë banorë. Aty janë popullsi kryesisht refugjatë. Kam qenë në vitin 2000 në Gaza, Bregun Perëndimor, Jerusalem, Tel Aviv, Hebron e Ramallah. Gaza ishte vetvetiu, pa pasur luftë, e tmerrshme. Imagjoni kur ka luftë. Atje jetonin me ndihma humanitare. Atë çfarë mendoj se synon Izraeli është ta zbrazë Gazën tërësisht”, ka thënë Spahiu.

Ai ka thënë se beson se nga “Gaza qytetarët do të shpërnguleshin në Egjipt”.

Spahiu po ashtu ka thënë se armatimi i “Hamasit” beson se ka hyrë në Gaza përmes Egjiptit.

“Nga aspekti njerëzor do të kishim dëshirë që të pushonte lufta, të gjendej zgjidhje paqësore. Por, kjo nuk duket në horizont”, ka thënë Spahiu, që ka shtuar se nëse lufta zgjerohet në Bregun Perëndimor, atëherë do të ishte shumë më rëndë. “Nëse Izraeli ka vendosur t’i shkojë deri në fund, besoj palestinezët do të jenë ana e humbur”.

Spahiu ndërkohë ka thënë se Kosova duhet të marrë mësim nga gjithë kjo ngjarje.

“Krejt Kosova me u qu nuk mundet me zgjidh problemin mes Izraelit e Palestinës, asnjë kontribut s’mund ta japim. Por, mund të nxjerrim mësim për veten tonë. Kjo e bën, që gjithë ata që thonë se duhet korrigjim i kufijve, e me dhënë veriun. Duhet ta kemi parasysh, se nëse Kosova detyrohet me dhënë diçka, atëherë më para duhet të japë Pejën ose Llapin, sesa veriun. E jo me bë këtë në kuadër të një zgjidhje politike, kur nuk je i detyruar ta bësh. Meqenëse 117 kombe të botës të njohin ty në këta kufij që janë”, ka thënë Spahiu.