Një kujtesë për rilindjen e shndritshme të jetës islame pas çerek shekulli errësirë
Kujtojmë dhe nderojmë sot një nga ngjarjet më domethënëse të historisë sonë të afërt: rihapjen e Xhamisë së Et’hem Beut më 18 janar 1991. Një datë që shënoi rikthimin e lirisë fetare në kryeqendrën shqiptare. Një moment që riktheu dinjitetin shpirtëror të një populli pas gati tri dekadash ndalimi të dhunshëm dhe heshtjeje të imponuar.
Rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut nuk ishte thjesht rivënia në funksion e një objekti kulti. Ajo ishte çelja e një epoke të re. Ishte çasti kur besimi, qytetaria dhe shpresa dolën sërish në dritë, publikisht, në jetën e një shoqërie të lodhur nga frika, por jo të thyer në shpirt.
Konteksti historik
Shpallja e Shqipërisë si shtet ateist në vitin 1967 mbetet një nga aktet më ekstreme dhe më të veçanta të historisë evropiane të shekullit XX. Ndërsa në vendet e tjera të kampit socialist feja u kufizua dhe u mbajt nën kontroll, në Shqipëri u ndalua plotësisht, u shpall e paligjshme, madje u sanksionua edhe në kushtetutë.
Institucionet fetare u shkatërruan ose u shndërruan në objekte pa shpirt. Kleri u persekutua sistematikisht. Besimi u shpall armik. Ky proces nuk synonte vetëm shkatërrimin e strukturave fetare. Ai synonte diçka shumë më të thellë: çrrënjosjen e besimit nga ndërgjegjja kolektive, zhveshjen e njeriut nga dimensioni i tij shpirtëror, dhe zëvendësimin e tij me një ideologji që nuk pranonte as Zot, as ndërgjegje. Siç shprehet akademiku Rexhep Qosja:”Shqipëria u shndërrua në një vend ku feja u bë një akt i ndaluar, duke u kthyer në një trashëgimi të heshtur, që mbijetonte vetëm në kujtesën e brezave dhe në shpirtin kolektiv.”
E megjithatë, feja nuk u zhduk. Ajo mbijetoi në heshtje, në familje, në kujtesë, në amanetin e brezave. Dhe Xhamia e Et’hem Beut, e ndërtuar në fund të shekullit XVIII, edhe pse e mbyllur për adhurim, mbeti aty. E heshtur, por e pranishme. Një dëshmi e qëndresës shpirtërore. Ajo ekzistonte si monument kulture, por pa jetën që i jep kuptim një tempulli.
Një trashëgimi e ngrirë, pa zë dhe pa lutje. Një pasqyrë e dhimbshme e një periudhe kur besimi u ndalua, por nuk u mposht.
Tradita e dijes islame dhe vazhdimësia e amanetit
Rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut nuk mund të kuptohet pa u vendosur në vijimësinë e traditës së mendimit islam shqiptar. Një traditë jo e ndërtuar vetëm mbi rite, por mbi dije, përgjegjësi dhe dashuri për atdheun. Figura si Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Ibrahim Dalliu dhe Haxhi Mahmud Dashi mishëruan një model të rrallë: një model ku feja dhe atdheu nuk përjashtonin njëri-tjetrin, por përbënin një binom të pandashëm.
Kjo traditë nuk u shua me dhunë. Ajo u trashëgua te ish-medresistët e Tiranës, të cilët përjetuan mbylljen e institucioneve fetare, por nuk lejuan mbylljen e dijes dhe fikjen e identitetit të tyre. Ata nuk ishin vetëm besimtarë. Ata ishin bartës të një amaneti. Një amaneti që kërkonte rikthimin e fesë jo si akt nostalgjie për të kaluarën, por si komponent thelbësor të jetës shoqërore, të edukimit moral dhe të përparimit kombëtar.
Ky amanet u mbajt gjallë nga ish-medresistët e Tiranës, të cilët përjetuan mbylljen e xhamive, por nuk e braktisën kurrë besimin. Ata ishin brezi që njohu errësirën dhe u bë dëshmitar i dritës.
Zanafilla e nismës qytetare (dhjetor 1990 – janar 1991)
Dhjetori i vitit 1990 u karakterizua nga pasiguria politike dhe shoqërore. Megjithëse sistemi komunist ishte në shpërbërje, mekanizmat e frikës dhe të represionit ende funksiononin. Heshtja ende sundonte, dhe pasiguria ishte e pranishme në çdo hap. Pikërisht në këtë klimë u hodhën hapat e parë të guximit qytetar. Në këto rrethana nisën takimet e grupit nismëtar të ish-medresistëve të Tiranës. Ndër emrat e tyre përmendim Faik Kacolljen, Ibrahim Ballën, Ramazan Rushekun, Xhavit Alimehmetin, Selim Stafën, Mehmet Sinellën, si dhe të tjerë, të mbledhur me një synim të qartë dhe të përbashkët: rikthimin e jetës fetare dhe të dinjitetit shpirtëror.
Një rol mbështetës luajti edhe Iljaz Alimehmeti, i cili vuri në dispozicion banesën e tij për këto takime. Ajo u shndërrua në një hapësirë reflektimi dhe vendimmarrjeje, duke u bërë simbol i rezistencës morale, i solidaritetit dhe i mikpritjes në një kohë kur guximi kërkonte sakrificë.
Në takimet e zhvilluara në fillim të vitit 1991 morën pjesë edhe personalitete dhe figura të njohura të jetës intelektuale, si dr. Shefqet Ndroqi, dr. Qazim Bakalli, Bardhyl Fico, e të tjerë. Pas diskutimeve dhe konsultimeve, këto takime formësuan hapin e parë drejt organizimit të një lëvizjeje më të gjerë qytetare. Gradualisht u kristalizua bindja se momenti historik nuk kërkonte më pritje, por veprime konkrete. Ky veprim u përqendrua në një synim të qartë: rihapjen e Xhamisë së Et’hem Beut.
Në funksion të këtij qëllimi u formua një grup i përbërë nga z. Ibrahim Balla, Ramazan Rusheku, Islam Kadesha dhe Iljaz Alimehmeti, të cilët u ngarkuan me ndjekjen e procesit dhe negociatat me autoritetet e kohës, konkretisht me Komitetin Ekzekutiv të Tiranës dhe Drejtorinë e Institutit të Monumenteve të Kulturës, për marrjen në dorëzim të xhamisë dhe për ushtrimin e funksionit të saj fetar. Më 15 janar 1991, komisioni nismëtar e mori në dorëzim Xhaminë e Haxhi Et’hem Beut dhe vendosi që më 18 janar 1991 të shpallte zyrtarisht rihapjen e veprimtarisë fetare.
Në mbledhjen e fundit u vendos që fjala e rastit të mbahej nga z. Ibrahim Balla, drejtimi i mevludit t’i besohej z. Ramazan Rusheku, si dhe të kryhej falja e parë e namazit të ditës së premte. Paralelisht, u ndërmorën masa për t’i dhënë kësaj ngjarjeje solemnitetin dhe përmasën qytetare të merituar. U ngrit një grup aktivistësh për njoftimin e qytetarëve në qendrat e punës të asaj kohe – në kombinate, fabrika, institucione shtetërore, por edhe në shkolla – duke e shndërruar këtë nismë në një thirrje të hapur për pjesëmarrje dhe dëshmi publike. Kështu, nga një iniciativë e heshtur, lindi një akt historik. Nga guximi i pak vetëve, u ndez shpresa e shumëkujt.
18 janar 1991 – dita e hyrë në histori
Dhe erdhi ajo e premte e paharruar: 18 janar 1991. Ceremonia e rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut u kthye në një manifestim masiv qytetar. Dhjetëra mijëra qytetarë mbushën sheshin “Skënderbej”, duke u bërë dëshmitarë të një ngjarjeje me dimension kombëtar, tejkaluese e kufijve të një ceremonie fetare.
Në programin e kësaj ceremonie u mbajt fjala e rastit, u këndua mevludi dhe u krye falja. Ishin çaste emocionesh të papërshkrueshme: lot, lutje, përqafime. Fjalët hyjnore u dëgjuan sërish në qiellin e Tiranës, pas gati tri dekadash heshtjeje të imponuar.
I ndjeri Bardhyl Fico, një nga anëtarët e grupit organizator, kujtonte se në mes të turmës u tha të pranishmëve: “O njerëz, perëndoi epoka e ateizmit dhe e idhujve të rremë. Nuk i përulemi më Stalinit, por vetëm Allahut të Lartësuar.” Në atë çast, turma u ul në shenjë nderimi ndaj fjalës hyjnore.
Kjo ditë u cilësua si dita e shembjes së idhujve ideologjikë dhe e kultit të individit. Dhe vetëm 33 ditë më pas, në të njëjtin shesh, do të shembej edhe busti i diktatorit. Historia kishte nisur të fliste hapur.
Ishin emocione të jashtëzakonshme. Thirrjet, “Allahu Ekber” – Zoti është më i Madhi – jehonin fuqishëm si simbol i triumfit të lirive të mohuara, buçisnin në qytetin tonë të dashur, të ndërtuar mbi themelet e besimit dhe trashëgimisë së Sulejman Pashës. Ishte momenti i triumfit të lirive të shtypura gjatë një periudhe të errët, një rikthim dinjitoz i fesë në jetën publike, si burim morali, identiteti dhe bashkimi kombëtar.
Në dimensionin shpirtëror, kjo ngjarje gjen një reflektim të thellë në fjalët kur’anore: “Vërtet, tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.” (El-Enbijā’, 105) Sipas dijetarëve të Kur’anit, trashëgimia nuk nënkupton vetëm posedimin material, por edhe autoritetin moral dhe përgjegjësinë për administrimin e drejtë të jetës shoqërore. Ky ajet afirmon parimin e pandryshueshëm se padrejtësia nuk është e përhershme dhe se drita e së drejtës gjithmonë triumfon mbi errësirën e saj.
Kjo dëshmon se drejtësia dhe morali janë urdhëresa hyjnore, të destinuara të udhëheqin veprimet tona dhe të sjellin paqe e harmoni në shoqëri. Data 18 janar 1991 shënon, zyrtarisht, rihapjen e veprimtarisë fetare islame në qytetin e Tiranës.
Megjithëse ceremonia u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe përfundoi me sukses të plotë, menjëherë pas saj, organet e rendit arrestuan dy anëtarë të komisionit organizator, z. Ibrahim Balla dhe z. Islam Kadesha, me pretendimin se kishin shkaktuar prishjen e rendit dhe të qetësisë publike, si dhe bllokimin e qarkullimit rrugor. Ata u mbajtën për rreth pesë orë në ambientet e policisë, u proceduan dhe procesverbalet përkatëse iu përcollën organeve kompetente për ndjekje penale. Ky veprim përbënte një kundërpërgjigje të qartë të pushtetit ndaj manifestimit të parë publik të lirisë fetare në Shqipëri.
Efekti, pasojat dhe ringritja institucionale
Nga ajo ditë, drita e besimit të çliruar nga zinxhirët diktatorialë nuk mbeti vetëm në Tiranë. Ajo u përhap në të gjithë vendin. Rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut u shndërrua në katalizatorin kryesor të ringritjes së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe të jetës fetare islame në shkallë kombëtare.
Menjëherë pas datës 18 janar 1991, komisioni nismëtar vendosi që Hafiz Sabri Koçi të ftohej për të drejtuar veprimtarinë fetare islame, si klerik i veshur me uniformë fetare, duke simbolizuar rikthimin e autoritetit institucional të fesë. Për këtë qëllim u dërgua në Shkodër një delegacion për ta ftuar atë, i përbërë nga zotërinjtë Ramazan Rusheku, Bardhyl Fico dhe dr. Shefqet Ndroqi.
Pas 18 janarit 1991, komisioni nismëtar e drejtoi veprimtarinë fetare në kushte jashtëzakonisht të vështira. Të gjitha xhamitë dhe pronat fetare ishin të shkatërruara ose të uzurpuara. Nuk ekzistonte asnjë zyrë, asnjë qendër institucionale ku të zhvillohej veprimtaria. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 1991, takimet dhe vendimmarrjet kishin për adresë banesën e dr. Shefqet Ndroqit, një hapësirë të thjeshtë të shndërruar në zemrën e ringritjes institucionale.
Ishte besimi dhe vendosmëria, sinqeriteti, sakrifica dhe vetëflijimi i brezit të ish-medresistëve që e mundësuan këtë proces. Ata u përballën me vështirësi të panumërta, me pengesa ligjore, me rezistencë ideologjike dhe madje edhe me kërcënime. Por, pavarësisht gjithçkaje, ata nuk u tërhoqën asnjëherë.
Në një periudhë relativisht të shkurtër kohore u arritën rezultate madhore: rihapja, restaurimi dhe ndërtimi i qindra xhamive në mbarë vendin; hapja e dhjetë medreseve në vend; dërgimi i qindra nxënësve dhe studentëve për studime brenda dhe jashtë vendit; botimi i gazetës “Drita Islame” dhe i literaturës fetare në gjuhën shqipe; rikthimi i një numri të konsiderueshëm të pronave të vakfit.
Mjafton të përmendim, në këtë kontekst rikthimi, në qytetin e Tiranës: xhamitë ekzistuese, Xhaminë e Kokonozit, të Dine Hoxhës dhe të Tabakëve, godinën e Medresesë së Tiranës, godinën e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Namazgjanë, ish-Lulishten “1 Maji”, dyqanet në Pazarin e Ri, trojet pas Pallatit të Kulturës, dhe shumë prona të tjera.
Paralelisht, u ndërtuan marrëdhënie institucionale me Kosovën, Maqedoninë, Turqinë, Libinë, Egjiptin, dhe me shumë vende të botës islame, duke e rivendosur Shqipërinë në hartën e bashkëpunimit fetar ndërkombëtar.
Të tëra këto arritje u realizuan me gjithë mungesën e infrastrukturës, edhe pse kishte boshllëk ligjor dhe një rezistencë të fortë ideologjike ende në veprim.
Me vend është të citohet këtu një shprehje filozofike: “Kohët e vështira krijojnë njerëz të fortë. Njerëzit e fortë krijojnë kohë të lehta. Kohët e lehta krijojnë njerëz të dobët. Njerëzit e dobët krijojnë kohë të vështira.” Brezi që ringriti jetën fetare pas vitit 1991 qe formuar në kohë të vështira, dhe pikërisht për këtë arsye la një trashëgimi të fortë!
Amaneti!
Rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut nuk është thjesht një datë në kalendar. Është një moment i zgjimit të fortë të ndërgjegjes sonë kombëtare. Është kujtesë, është përgjegjësi, është amanet!
Çdo brez ka një detyrë: të lidhë të kaluarën me të ardhmen. Dhe kujtesa kolektive është caku ku vendosim nëse do të jemi një shoqëri që kujton apo një shoqëri që harron. Kjo ngjarje na mëson diçka thelbësore: liria fetare nuk është dhuratë e pushtetit. Ajo është një e drejtë e natyrshme. Dhe si çdo e drejtë, kërkon mbrojtje!
Sot, 35 vjet më pas, kjo ngjarje nuk mund të mbetet vetëm ceremoni. Ajo duhet të jetë një thirrje. Një thirrje për ndërgjegje, një thirrje për përgjegjësi. Sepse amaneti i Vehbi Dibrës, i Hafiz Ali Korçës dhe i Hafiz Ibrahim Dalliut ende flet. Ata na kujtojnë se shpirti i besimit është ai që i jep forcë shoqërisë dhe përmbajtje jetës sonë të përditshme. Ata na paralajmëruan për një rrezik të madh: humbjen e busullës morale, shitjen e së shenjtës për interesa të përkohshme.
Dhe sot, kjo thirrje është më aktuale se kurrë. Kjo ngjarje na i sjell të drejtpërdrejta pyetjet: Çfarë trashëgimie do të lëmë pas? Harrim dhe kompromis? Apo një amanet ringritjeje morale, shpirtërore dhe qytetare?
Më 18 janar 1991 u dëshmua diçka e madhe: kur besimi, guximi dhe përgjegjësia bashkohen, ëndrrat bëhen realitet. Detyra jonë është po aq e madhe sot. Të mos e lëmë dhimbjen e së kaluarës të na paralizojë, por ta kthejmë në forcë për të ardhmen.
Zhvillimi fetar në Shqipëri nuk ka veç histori; ai është dhe pasqyra e shpirtit të kombit, është dëshmia se identiteti nuk dhurohet, por mbrohet. Amaneti i lënë nuk është dëshpërim. Është thirrje për drejtësi, për ndershmëri, për përgjegjësi. Sot, më shumë se kurrë, duhet të pyesim veten: Po ne çfarë do të lëmë pas nesh, një trashëgimi tradhtie? Apo një amanet ringritjeje? Detyra jonë është e qartë: të mos shesim kurrë të shenjtën për profanen, të mos humbasim busullën morale! Dhe të ndërtojmë, së bashku, një Shqipëri me dinjitet, drejtësi dhe shpresë. Ky është amaneti. Dhe ky amanet është përgjegjësia jonë!
Përkujtimi i kësaj ngjarjeje është, njëkohësisht, dhe një lutje e homazh i përulur për personalitetet e shquara myslimane. Për ata burra të besimit dhe të guximit që me kontributet dhe sakrificat e tyre i dhanë jetë një ëndrre të pamundur në dukje për shumëkënd: rihapjes së xhamisë dhe ringritjes së jetës islame. Ata lanë pas një trashëgimi të çmuar për brezat e rinj. Nuk i kujtojmë në këtë ditë thjesht me fjalë. I kujtojmë me nderim. Dhe mbi të gjitha, me zotimin se amaneti i tyre nuk do të harrohet. Allahu i Lartësuar ua pranoftë veprat dhe ua shpërbleftë përkushtimin me mëshirën e Tij të pakufishme! Amin!
Saimir Rusheku








