Ballina Lajmet Kosovë Nga kanosje te mashtrimi – këta janë kandidatët me dënime e aktakuza...

Nga kanosje te mashtrimi – këta janë kandidatët me dënime e aktakuza aktive që po kërkojnë votën më 12 tetor

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar një raport të ri në të cilin janë evidentuar kandidatë për kryetarë komunash të cilët kanë probleme me ligjin.

Sipas këtij raporti nga 206 kandidatët për kryetarë të komunave, 8 prej tyre apo 3.9% janë persona të cilët kanë probleme me ligjin.

Ndër ta, katër kanë aktakuza aktive, ndërsa pesë janë dënuar më parë me vendime të formës së prerë.

Nga tetë kandidatët për kryetar të komunave me probleme ligjore, katër janë nga dy parti politike: tre nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe një nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Ndërsa tre kandidatë të tjerë vijnë nga iniciativa qytetare: Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Srpska Narodna Sloga dhe Iniciativa Demokracia. Një kandidat tjetër është i pavarur.

Kandidatët që kanë aktakuza aktive janë katër të cilët janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë, 1 prej tyre është në rigjykim kurse për dy të tjerë vendimi nuk është përpiluar ende, kurse një rast është duke u trajtuar nga Gjykata e Apelit.

Sipas IKD-së këta janë kryetarët e komunave që kanë aktakuza aktive: Erden Atiq nga LVV i dënuar në shkallë të parë, rasti në Gjykatën e Apelit. Vepra penale ndaj Atiq është “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike”. Aktakuza ndaj tij është ngritur më 2017.

Sami Lushtaku nga PDK, është i dënuar në shkallë të parë ndërkaq rasti është rikthyer në rigjykim. Vepra penale ndaj Lushtakut është “Krim i organizuar lidhur me veprën penale pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”. Aktakuza ndaj tij është ngritur në vitin 2016.

Shkumbin Demaliaj nga Iniciativa Demokracia është kandidati tjetër që ka aktakuzë aktive. Ai është dënuar në shkallë të parë, ndërkaq aktgjykimi nuk është përpiluar. Vepra penale për të cilën akuzohet është “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Aktakuza është ngritur në vitin 2018.

Shkuri Buja nga PDK gjithashtu është dënuar në shkallë të parë, kurse aktgjykimi nuk është përpiluar. Edhe Buja akuzohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Aktakuza edhe ndaj tij është ngritur në vitin 2018.

Raporti i IKD-së ka evidentuar edhe 5 kandidatë të cilët kanë pasur dënime penale të formës së prerë. Këta kandidatë janë:

Arbër Emini kandidat i pavarur në Kllokot. I dënuar me gjobë në shumën prej 200 euro dhe burgim me kusht 90 ditë për veprën penale e cila nga “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” është rikualifikuar në veprën penale “mashtrimi”. Kjo vepror është kryer në vitin 2023.