Nga Klinika Infektive japin detaje për të dyshuarit me koronavirus në QKUK

Aktualisht në Klinikën Infektive në QKUK janë duke u trajtuar tetë raste për koronavirus.

Në Infektive siç është bërë e ditur përmes një konference për media, sot janë paraqitur edhe gjashtë raste të reja, gjë që numrin total të personave që po monitorohen e ka çuar në tetë, shkruan lajmi.net.

“Ne momentalisht në klinikë i kemi hospitalizu gjashtë pacientë. Për momentin nuk ka nevojë për shqetësime”, ka thënë Lindita Ajazaj – Berisha nga reparti i Klinikës Infektive.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se gjendja e pacientëve është e mirë, dhe se për momentin nuk ka persona që kanë  simptoma më të theksuara.

“Gjendja e përgjithshme e pacientëve është e mirë. Ne çdo ditë do të presim raste sporadike dhe është normale që kanë me ardhur për të kërkuar ndihmë edhe pse deri tash kanë ardhur me simptoma të lehta. Për momentin nuk ka pacientë që kanë simptoma më të theksuara”

Lajmi.net kishte raportuar sot se në QKUK janë pesë raste të reja të dyshuara me koronavirus.

Me kalimin e kohës, ky numër është rritur teksa aktualisht janë hospitalizuar edhe gjashtë persona.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime. Qytetarët do të jenë të informuar në kohë reale për çdo ndryshim eventual të tillë.

Në ndërkohë që në Kosovë nuk është konfirmuar ende asnjë rast me koronavirus, në Shqipëri tanimë numri i të infektuarve ka arritur në 10.