Ngjarje e rëndë në Gjermani, 28 vjeçari nga Kosova vritet me thikë nga kolegu i punës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në Mynih të Gjermanisë, ku një shqiptar, punëtor ndërtimi, plagosi rëndë dy kolegë me thikë. Njëri prej tyre që dyshohet se është poashtu shqiptar nuk u mbijetoi plagëve. Policia po heton rrethanat e ngjarjes.

Një punëtor ndërtimi (moler) i moshës 33-vjeçare me origjinë kosovare sulmoi të shtunën me thikë kolegun 28-vjeçar dhe shefin e tij 50-vjeçar.

Siç raportohet nga Policia e Mynihut, 28-vjeçari që poashtu është kosovar vdiq të dielën në mbrëmje për shkak të plagëve të rënda.

Ngjarja ndodhi në afërsi të një stacioni autobusi në Nymphenburg të Mynihut kur të tre kolegët kishin dalë nga furra dhe po niseshin për në vend punishte.

Për momentin ende nuk dihen motivet e ngjarjes së rëndë, por raportohet se 33-vjeçari nxori një thikë kuzhine rreth 20 centimetër dhe goditi pa paralajmërim kolegun dhe shefin e tij në qafë dhe pjesët e sipërme të trupit.

Sulmuesi u arrestua nga policia pa rezistencë.

Sipas policisë, sulmuesi e kishte mbajtur thikën me vete, prandaj ekziston dyshimi se vrasja ishte e planifikuar.

Siç njoftoi policia të hënën, sulmuesi me vendim të gjykatës u vendos në një spital psikiatrik.