Nis numërimi i votave të diasporës

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur numërimi i votave nga diaspora.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se janë gjithësej 2 mijë e 379 zarfe të individualizuara me fletëvotime që pritet të numërohen.

“Gjatë periudhës së votimit përmes postes që nga data 29 tetor deri më 12 nëntor, komisioni qendor i zgjedhjeve ka pranuar 1571 zarfe të supozuara me fletëvotime dhe pas procesit të vlerësimit nga ana e shërbimit votues të KQZ-së, nga këto zarfe të supozuara ka pasë brenda tyre më shumë se 2000 zarfe të individualizuara me fletëvotime, dhe nga ky proces pas verifikimit të tyre janë gjithsej 2379 zarfe të individualizuara, dhe ato do të numërohen gjatë mbrëmjes së sotme nga ora 18:00”, ka thënë Elezi.

Ai bëri të ditur se numërimi i këtyre votave do të përfundojë brenda disa orësh.

Kujtojmë se votat e diasporës mund ta përmbysin rezultatin në Junik dhe Dragash, komuna këto ku dallimi mes të parit dhe të dytit në vota është shumë e vogël.