Nis zbatimi i vendimit për sanksione ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës

Dje Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për vendosjen e taksës prej 10% për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ky vendim u mirëprit nga të gjitha bizneset në Kosovë, derisa shqetësoi shumë shtetin fqinj, Serbinë.

Sot, një ditë pas marrjes së vendimit, ky urdhër i kryeministrit Ramush Haradinaj ka hyrë menjëherë në fuqi.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline zëdhënësi i Doganave të Republikës së Kosovës, Adriatik Stavileci, sipas të cilit vendimi po zbatohet gjithandej.

“Në momentin kur kemi pranuar vendimin ka hyrë në implementim në të gjitha pikat dhe terminalet doganore”, ka thënë Stavileci.

Kujtojmë se ndaj këtij vendimi reagoi edhe Bashkimi Evropian, sipas të cilit, me këtë është shkelur Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.

Kurse, Marko Gjuriq ka thënë se nëse nuk anulohet ky vendim, atëherë Serbia do të shqyrtojë ndërprerjen e dialogut në Bruksel.