Nis zhbllokimi i rrugëve drejt kufijve në veri

Në ora 12:10 ka filluar largimi i kamionëve dhe automjeteve tjera të cilat për 13 ditë kishin bllokuar rrugën për në kufirin e Jarinjes në drejtim të Serbisë, ndërsa ushtarët e KFOR-it po zëvendësojnë Njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

E gjithë kjo, si rezultat i arritjes së marrëveshjes të para dy ditëve mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, sipas së cilës KFOR-i  do të qëndrojë për dy javë pranë pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Situata është e qetë dhe procesi po zhvillohet pa ndonjë incident deri tani.

Një helikopter i KFOR-it është parë në orët e paradites duke vëzhguar situatën herë pas here nga ajri.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës nuk kanë pranuar të lëvizin derisa të gjithë kamionët të mos kthehen dhe të zhbllokohet rruga në tërësi.

Derisa po raportojmë, mësohet se situatë e ngjashme po mbretëron edhe në Bërnjak, ku kamionët kanë filluar të lëvizin dhe të zhbllokojnë rrugën, ndërsa KFOR-i është vendosur aty në mbrojtje të zyrtarëve doganorë dhe pikës kufitare.

Kjo marrëveshje e përkohshme, nënkupton që nga 4 tetori do të filloj  mbulimi i simboleve shtetërore në targat e automjeteve që hyjnë nga Serbia në territorin e Kosovës dhe anasjelltas, ndërsa mbetet që brenda afatit gjashtë mujor të gjendet një zgjidhje e përhershme për këto targa.

Ndryshe, më 20 shtator 2021, Kosova filloi reciprocitetin e targave ndaj Serbisë, me ç’rast të gjitha automjetet që hynin nga Serbia duhej të vendosnin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet në Kosovë, gjë që u prit me protesta dhe bllokim rrugësh nga banorët lokalë serbë, të dirigjuar nga Beogradi.