Nisen për në Kosovë të mbijetuarit e aksidentit tragjik në Kroaci

Pas dy dite qëndrimi dhe trajtimi në Kroaci, qytetarët e Kosovës që nuk kanë pësuar lëndime të rënda fizike nga aksidenti tragjik që ndodhi të dielën, janë nisur për në Kosovë.

Mediat kroate kanë publikuar pamje nga nisja e tyre për në Kosovë, rrugëtim të cilin e kishin nisur ditë më parë nga Gjermania.

Njëri prej të mbijetuarve nga aksidenti tragjik i së dielës në Kroaci, është deklaruar pak para nisjes për në Kosovë.

Ai ka falënderuar Qeverinë e Kroacisë për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar për të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi.

”Unë veç dua ta falënderoj Qeverinë e Kroacisë për çdo gjë që ka bërë për ne”, deklaroi mërgimtari.

Gjatë ditës së sotme, ministri i Brendshëm i vendit, Xhelal Sveçla ka deklaruar se udhëtarët të cilët kanë shpëtuar nga ky aksident që ndodhi mëngjesin e së dielës do të kthehen në Kosovë me transport të linjës ajrore, të martën pas orës 22:00.

Nga aksidenti rrugor në Sllavonski Brod, kanë vdekur dhjetë persona me prejardhje nga Kosova, ndërkaq janë lënduar edhe 40 të tjerë.

Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Autoritetet kroate kanë thënë se ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari 52-vjeçar ishte duke vozitur autobusin në kundërshtim me ligjin për trafikun rrugor