Në diskursin modern të jetës, çdo ditë e më shumë përballemi me një formë të dhunës kolektive të pakuptimtë, deri në një lloj dalldisjeje intelektuale, që manifestohet në debatet publike plot ofendime dhe agresivitet.
Në këtë realitet ngrihet një pyetje thelbësore që rrallë e prekim: kush dhe si e mëson të riun se dhuna dhe vrasja janë zgjidhje?
Nuk është se adoleshenti nuk e di që dhuna është e keqe; pyetja është pse ai e sheh si zgjidhjen e vetme.
Nuk është se i rrituri nuk i di rregullat në trafik, në rrugë, në punë apo në komunitet; por çfarë i ka ndodhur që sillet sikur nuk është më njeri?
Nuk është se politikani, intelektuali, gazetari, artisti apo këngëtari nuk e di që ofendimi, kërcënimi dhe ulërima publike janë marrëzi; por çfarë ndodh brenda tij që sillet si pa mend?
Në përpjekje për ta kuptuar këtë gjendje, kam arritur në një përfundim: vetëdija njerëzore është shumë e dobët përballë pavetëdijes së keqedukuar dhe të kushtëzuar.
Dy proceset e të nxënit: vetëdija dhe pavetëdija
Njeriu mëson nëpërmjet dy proceseve të ndryshme: vetëdijes dhe pavetëdijes.
Këto janë dy botë të mëdha dhe tërësisht të ndryshme. Vetëdija edukohet përmes kuptimit, sa më i gjerë të jetë kuptimi, aq më e gjerë është vetëdija njerëzore.
Pavetëdija, përkundrazi, edukohet përmes kushtëzimit, pra, nëpërmjet përsëritjes së një veprimi, fjalori, imazhi apo tingulli, të cilat me kalimin e kohës bëhen pjesë e pandërgjegjshme e qenies sonë.
Pa e kuptuar, përmes ripërsëritjes, ne formojmë mënyra të sjelljes, të shprehjes dhe madje të të menduarit. Në këtë pikë, ne si shoqëri kemi dështuar tërësisht në edukimin e pavetëdijes.
Ne i flasim vetëdijes me fjalë, por gjithë puna bie poshtë përballë pavetëdijes së paedukuar që na sundon.
Pse kemi dështuar në edukimin e pavetëdijes?
Në çdo hap të jetës sonë jemi të rrethuar nga elemente që ushqejnë një pavetëdije të çrregullt:
Në kafene, në rrugë, apo ambiente familjare dëgjohet muzikë e zhurmshme, me fjalor banal dhe tinguj agresivë. Një fëmijë 6-muajsh që qëndron çdo ditë një orë nën këtë zhurmë, pa e kuptuar, ekspozohet ndaj stresit që i transmetojnë edhe prindërit, gjyshërit, e të gjithë rreth tij.
Në rrugë, përballemi me një garë të pandërprerë për të dalë “i pari”, me kaos dhe tension që çdo mëngjes shoqëron të rriturit e fëmijët.
Në institucione, zyra, shkolla, spitale apo gjykata mbizotëron parregullsia; edhe ai që përpiqet të jetë korrekt, përfundon i çrregulluar emocionalisht, dhe e ndien se vetëm “ligji i xhunglës” mund ta zgjidhë situatën.
Në shtëpi, televizori sjell një tjetër valë dhune: lajme për vrasje, krime, debate banale, skandale politike, filma plot luftë, horror e agresion.
Të gjitha këto, pa e kuptuar, ndërtojnë njeriun që, në momentin kur humbet vetëdijen, i shfaqet pavetëdija e tij e keqedukuar, plot zhurmë, kaos, agresion e luftë. Dhe ky është njeriu që po shohim sot.
Si mund të rregullohet njeriu?
Nëse duam të rregullojmë njeriun, duhet të kuptojmë se çfarë edukon në thelb pavetëdijen e tij. Janë tre elemente thelbësore që ndikojnë drejtpërdrejt:
1. Gjërat që dëgjojmë, shohim dhe mendojmë.
2. Njerëzit që takojmë ose i marrim si model.
3. Vendet dhe ambientet ku kalojmë kohën.
Nëse nuk filtrojmë këto tre komponentë, as shkolla, as feja, as teatri apo libraria nuk do të mund ta formojnë njeriun e vërtetë.
Pavetëdija e sulmuar në çdo moment nga këto ndikime do ta kthejë përsëri në formën e saj më të ulët.
Asgjë e pavetëdijshme nuk mund të rregullohet derisa të bëhemi të vetëdijshëm për mënyrën se si gjërat ndikojnë në pavetëdijen tonë.
Vetëm duke kuptuar këtë mekanizëm të brendshëm, mund të fillojmë një proces të vërtetë shërimi shoqëror dhe njerëzor.
Vladimir Kera








